Rregullat e reja/ Një muaj afat që OJF-të e bizneset e vogla të hapin llogari bankare

Rregullat e reja/ Një muaj afat që OJF-të e bizneset e vogla të hapin llogari bankare

Bizneset të cilat nuk hapin llogari bankare brenda datës 26 tetor do të gjobiten automatikisht me 25 mijë lekë, ose 200 euro, kur janë persona fizikë dhe mbi 400 euro, kur janë persona juridikë. Administrata tatimore u ka bërë thirrje dje bizneseve që të zbatojnë ndryshimet ligjore, të miratuara së fundmi nga Parlamenti, për të mos u përballur me ndëshkimet financiare. Në fund të muajit të kaluar, Parlamenti ndryshoi ligjin e procedurave tatimore duke miratuar një nen, i cili detyron pjesën dërrmuese të bizneseve që të ketë llogari në një bankë të nivelit të dytë.

Më konkretisht, sipas draftit, ky detyrim prek të gjithë personat juridikë, pavarësisht xhiros që realizojnë, si dhe personat fizikë me xhiro mbi 2 milionë lekë në vit, pra që janë të regjistruar në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Sipas ndryshimeve ligjore, bizneseve ekzistuese ju dha një afat kohor prej 3 muajsh për të respektuar këtë detyrim, i cili skadon në datën 26 tetor të këtij viti. Ndërsa bizneset të cilat hapen rishtaz janë të detyruara që të pajisen me llogari bankare brenda 20 ditëve nga momenti i regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Ky rregull i ri, nga i cili përfitojnë ekonomikisht bankat, krijon kosto shtesë për mijëra biznese, të cilat sot nuk kanë llogari, pasi duhet të paguajnë komisione mirëmbajtjeje. Por ministria e Financave thotë se ndryshimet ligjore janë kërkuar nga Këshilli i Europës, më konkretisht Agjencia europiane kundër Pastrimit të Parave “Moneyval”, për të mbyllur shtigjet për pastrim parash.

Njoftimi

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, njoftoi dje se, në vijim të informimit të ndryshimeve të fundit ligjore, ajo sjell në vëmendje te subjekteve që janë tatimpagues, detyrimin për të hapur llogari bankare.

Sipas Tatimeve, ky detyrim është për të gjithë personat fizikë tregtarë, të cilët njëkohësisht janë të regjistruar edhe për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar – nga kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në prej 2 000 000 lekë në vit, ose nëse ushtrojnë një profesion të lirë, – janë subjekte të dispozitës së mësipërme.

Personat juridikë, pavarësisht nga qarkullimi i realizuar dhe OJF-të, janë po ashtu të detyruar të kenë llogari bankare dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore.

Tatimpaguesit e sipërpërmendur, të regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit/Administratës Tatimore janë të detyruar të hapin llogarinë bankare, jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e këtij Ligji (data 26.07.2019) dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore.

Po ashtu, edhe tatimpaguesit e regjistruar rishtas, janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit/organizatës jo më vonë se 20 ditë kalendarike nga e nesërmja e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit/Administratën Tatimore dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore.

Tatimet theksojnë se përjashtohen nga detyrimi për të hapur dhe deklaruar të dhënat e llogarisë bankare në Administratën Tatimore, vetëm personat fizikë tregtarë, aktualisht të regjistruar, të cilët nuk janë të regjistruar për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Në rast se këto subjekte, regjistrohen për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në një moment të dytë, atëherë kanë detyrimin të hapin dhe deklarojnë llogarinë bankare në Administratën Tatimore.

Në rast të mospërmbushjes së detyrimit tatimor të sipërcituar, parashikohen sanksione për tatimpaguesit.

Penalitetet që parashikohen nga ligji për moshapje të llogarisë bankare

Mospërmbushja e detyrimit nga tatimpaguesit dënohen si më poshtë:

Për tatimpaguesit, persona fizikë tregtarë, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar, me qarkullim deri në 8.000.000 lekë, gjobë në masën 25.000 lekë

Për tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi, si dhe tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, me qarkullim mbi 8.000.000 lekë, gjobë në masën 50.000 lekë

Për organizatat jofitimprurëse, gjobë në masën 37.000 lekë

Kush e ka detyrimin për të hapur llogari bankare

Detyrimi është për të gjithë personat fizikë tregtarë, të cilët njëkohësisht janë të regjistruar edhe për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar – nga kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në prej 2 000 000 lekë në vit, ose nëse ushtrojnë një profesion të lirë, – janë subjekte të dispozitës së mësipërme

Personat juridikë, pavarësisht nga qarkullimi i realizuar dhe OJF-të, janë po ashtu të detyruar të kenë llogari bankare dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën