Rregullorja e re e Kuvendit, 45 deputetë të opozitës e çojnë në Kushtetuese: Të shfuqizohet, përjashtimi deri në 60 ditë shkel të drejtat tona

Rregullorja e re e Kuvendit, 45 deputetë të opozitës e çojnë në Kushtetuese: Të shfuqizohet, përjashtimi deri në 60 ditë shkel të drejtat tona

Kërkesa e 45 deputetëve

TIRANË- Ashtu siç kishin paralajmëruar, opozita ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese rregulloren e të Kuvendit, të miratuar të enjten e kaluar, 14 dhjetor, e cila ndëshkon deputetët që ndezin tymuese me 2 muaj përjashtim nga punimet e Kuvendit.

Përmes padisë së firmosur nga 45 deputetët, opozita kërkon shfuqizimin e kësaj rregulloreje, si edhe pezullimin e saj deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga Kushtetuesja.

Në padi thuhet se kjo rregullore e re, përmes së cilës deputetët rrezikojnë deri në 60 ditë përjashtim, shkel të drejtat e tyre, si edhe lë qytetarët pa përfaqësues në parlament. Madje sipas opozitës, ndryshimet janë bërë nga mazhoranca pa konsultim dhe i japin PS-së mundësi për ndëshkime arbitrare.

"Rregullorja e Kuvendit është akti që garanton bashkëjetesën demokratike të palëve politike në Parlament. Miratimi i saj, ashtu si rishikimi a ndryshimi, kërkojnë detyrimisht konsensus dhe gjithëpërfshirje. Ndryshimet e fundit u propozuan nga mazhoranca, pa asnjë konsultim apo transparencë, u shqyrtuan dhe miratuan me procedurë të përshpejtuar si shenjë e qartë arrogance dhe arbitrariteti, duke synuar ta shndërrojnë Rregulloren në një mjet "disiplinimi" për deputetët e opozitës që guxojnë të protestojnë kundër akteve të mazhorancës. Në kushtet kur këto ndryshime prekin në mënyrë thelbësore të drejtat e deputetëve, vecanërisht deputetëve të opozitës, por gjithashtu cenon përfaqësimin e qytetarëve dhe mirëfunksionimin demokratik të Kuvendit, 45 deputetët kanë kërkuar nga Gjykata pezullimin e këtyre ndryshimeve deri në dhënien e një vendimi përfundimtar", thuhet në deklaratën e opozitës. 

Rregullorja e re u fut në fuqi një ditë më parë, 18 dhjetor, dhe ndryshimet u bënë pas kaosit që deputetët e Berishës dhe Bardhit po krijojnë prej javësh në Kuvend, me ndezje tymuesesh duke sabotuar punën. Këtë padi e kanë firmosur edhe deputetët e Partisë së Lirisë, të cilët në kaos kanë qëndruar indiferent, por përmes deklaratave kanë mbështetur ‘aksionin’ e grupit Berisha-Bardhi.

Argumentet kryesore të kërkesës së opozitës në Gjykatën Kushtetuese

1.  Dispozita e Rregullores që vendosin përjashtimin për 30 - 60 ditë të deputetit, duke i ndaluar edhe të kryej cdo lloj veprimtarie si anëtar i Parlamentit shkel në mënyrë flagrante një sërë të drejtash që deputetit i garantohen nga Kushtetuta dhe ligji. Praktikisht kjo dispozitë nënkupton pezullimin e deputetit nga detyra. Pezullimi nga ushtrimi i një funksioni publik është masë ndaluese që jepet nga gjykata në kuadër të një procesi penal, por edhe në atë rast pezullimi i deputetit është shprehimisht i ndaluar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale.

2. Dispozitat e Rregullores nuk ndalon vetëm ushtrimin e funksioneve të caktuara të deputetit, por lë pa përfaqësim qytetarët që kanë zgjedhur deputetin subjekt i masave disiplinore, në shkelje flagrante me nenin 71 të Kushtetutës.

3. Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit shkelin kriteret e përcaktuara nga neni 17 i Kushtetutës sa i përket kufizimit të të drejtave, përkatësisht kriterin e ligjshmërisë, interesit publik dhe proporcionalitetit. Ndryshimet përmbajnë paqartë dhe terminologji evazive, duke i krijuar mundësi mazhorancës që t'i përdorë këto mekanizma në mënyrë arbitrare për të ndëshkuar sjelljet që ato i konsideron të papëlqyeshme të deputetëve të opozitës.

4. Këto ndryshime nuk janë frymëzuar nga asnjë interes publik apo qytetar, por vetëm nga interesi politik për të shuar zërin e deputetëve opozitarë, sic pranohet në relacionin e propozuesve dhe raportin që ka miratuar Këshilli i Mandateve. Masat disiplinore 30 - 60 ditë, veçanërisht parashikimi i pezullimit të ushtrimit të detyrës gjatë kësaj periudhe, është një masë tërësisht disproporcionale.

5. Organi që merr vendimet për masat disiplinore është një organ politik, i drejtuar dhe me shumicë nga mazhoranca, që nuk ofron asnjë lloj garancie sa i përket pavarësisë, paanshmërisë dhe objektivitetit në vendimmarrje. Mungesa e këtyre garancive rrezikon ta shndërrrojë Rregulloren e Kuvendit në një mjet arbitrar në duart e mazhorancës për të ndëshkuar deputetët e opozitës. Në këto kushte cënohet edhe e drejta për proces të rregullt ligjor, e garantuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

6. Ndryshimet në Rregullore cënojnë parimin e shtetit të së drejtës dhe hierarkisë së normave, parashikuar nga neni 81 i Kushtetutës, pasi ato vijnë në kundërshtim me Kodin e Procedurave Administrative dhe Kodin e Procedurës Penale. Konkretisht, dispozita e Rregullores që sanksionon pezullimin e ushtrimit të funksionin të deputetit vjen në kundërshtim me nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndërsa dispozita që parashikon se ankimi nuk pezullon automatikisht vendimin e Sekretariatit për Etikën, vjen në kundërshtim me nenin 133 të Kodit të Procedurave Administrative. Rregullorja është një akt që miratohet me 71 vota, ndërsa ligjet e mësipërme miratohen me 84 vota, prandaj Rregullorja duhet të jetë detyrimisht në përputhje me këto akte, në përputhje me parimin kushtetues të hierarkisë së normave, parashikuar nga neni 81 i Kushtetutës.

7. Mazhoranca ka shkelur afatin 7-ditor të përcaktuar nga neni 83, pika 2, e Kushtetutës dhe neni 28 i Rregullores së Kuvendit sa i përket shqyrtimit dhe miratimit me procedurë të përshpejtuar të një vendimi, pasi ndryshimet në Rregullore u miratuan pa kaluar akoma ky afat.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 20/12/2023 03:58

    Se deri tani e keni ndritur qe na qaheni se elektorati do mbetet pa perfaqesues! Vetem rremuje e kacafytje,por dhe kur nuk keni kaluar ne faze,prape ligjet qe keni miratuar kane qene te shkelqyera vetem per xhepin tuaj,se per popullin jeni analfabete me mandat.Ceshtja eshte a do t'ju bllokohet dhe rroga ato 60 dite,apo jo,kete duam te dime?!

    Përgjigju
  • Ehuuu: 19/12/2023 15:34

    Po ju dhe ato 60 dite pak i keni. Ca te drejtash shkel. Po ju po veni ne parlament apo ne ndeshje boksi

    Përgjigju
  • Arben: 19/12/2023 14:52

    45 deputete nuk dashkan pezullim 60 ditor? Jane mesuar keta ne kaos dhe rremuje. Por ajo kohe po iken. Ne qofte se keta te opozites nuk dine te rrespektojne rregullat atehere ne Shqiperi per 30 vite duhet ndaluar me ligj pluralizmi. Nuk ka nivel opozita shqiptare per te bere detyrat e veta qe i cakton SHBA. Pas 30 vitesh pastaj duhet pare a i'a vlen te kthehet pluralizmi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Planet e administratës së re amerikane për reformimin e FBI-së

Planet e administratës së re amerikane për reformimin e FBI-së