TIRANË - Dritan (Gramos) Rexhepi, i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ka folur për herë të parë gjatë procesit gjyqësor në GJKKO.
Ai ka mohuar çdo lidhje me Gentian Funiqin, (Doçi) duke deklaruar se nuk e ka parë kurrë në jetën e tij dhe se do ta vërtetojë këtë me prova.
Rexhepi ka sqaruar gjithashtu se në kohën e ngjarjes ndodhej në burgun e Pratos, në siguri të lartë, për shkak të një procesi në Apelin e Firences.

“Në burgun e Pratos kam qenë në sigurinë e lartë pasi kisha Apelin në Firence dhe me mbajtjen 10 ditë. Nuk e njoh, se kam parë ndonjëherë në jetën time Gentian Funiqin. Do ja faktoj këtë prokurorëve me prova në vijim”, ka deklaruar Rexhepi.
Në seancën e të enjtes, avokatët e të pandehurve kanë kundërshtuar provat shkresore të paraqitura nga SPAK.
Në nëntor 2020, SPAK sqaroi se nga hetimi kishte rezultuar se të pandehurit Dritan alias Gromos Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penalë në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës Jani Prenga në Kamëz më 17 janar 2020.
Si bashkëpunëtorë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës akuzohen dhe Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe Altin Hajri, ky i fundit pronari i kompleksit “Golden Resort” në Shijak, ku u rrëmbye dhe u pa për herë të fundit Jan Prenga.
Rrëmbimi i tij dyshohet se është bërë pasi, Astrit Prenga vëllai i viktimës, kishte vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.
Ekstradimi
Në masa të jashtëzakonshme sigurie, Rexhepi u ekstradua nga Turqia më 8 janar 2025 në vendin tonë për t’u përballur me akuzat për një prej ngjarjeve më të mistershme të viteve të fundit, urdhrin për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës më 17 janar 2020 në Kamzë, pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i Jan Prengës, Astrit Prenga, kishte vjedhur në Angli, një kontenier me kokainë në pronësi të tij dhe bashkëpunëtorëve.
I konsideruar si “mbreti i kokainës”, Dritan Rexhepi u arrestua më 10 nëntor 2023 me dokumente false kolumbiane me emrin Benjamin Omar Perez Garcia, në një vilë luksoze, brenda së cilës u gjetën para dhe bizhuteri. Në Turqi mundi të hyjë përmes aeroportit të Stambollit, ndërsa autoritetet italiane e gjurmuan dhe njoftuan kolegët turk që e ruajtën për disa ditë në vilë dhe pasi u bindën ndërhynë për kapjen e tij.
Komente

