TIRANË- Avokatët e Altin Hajrit, pronarit të kompleksit Golden në Shijak, i cili po gjykohet në mungesë për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës kanë kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për dënimin e tij me burg përjetë. Mbrojtja e Hajrit bëri sot kundërshtimet përfundimtare, ku avokati Aranit Roshi pretendoi se Hajri nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen. Para trupës gjykuese, ai deklaroi se persona me kapuç kanë ardhur në ambientet e biznesit të Hajrit dhe i kanë thënë se personi në fjalë (Jan Prenga) është sëmurë. Avokati ka pretenduar se Hajri i ka dhënë ujë dhe më pas kur ka parë armë dhe shenja gjaku ka kuptuar se bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë dhe ka larguar familjen nga kompleksi.

“Ajo që ka ndodhur, ka ndodhur për 15 minuta. Altin Hajri ka qenë në ambientin e lokalit. Ka parë personat që kanë ardhur, me kapuç. Është interesuar, ka pyetur çfarë ndodhi, i thanë është sëmurë. I ka dhënë ujë. Ka parë shenja gjaku dhe armë, ka kuptuar se bëhet fjalë për diçka të rëndë dhe ka larguar familjarët nga biznesi. As nuk e ka njohur Jan Prengën. Një ngjarje kriminale mund të ndodhë sot në një hotel në mes të Tiranës fjala vjen tek “Rogner”, të fusë makinën dikush aty në parking, të lërë drogë apo çfarëdo, s’mund të fajësohet pronari i lokalit për këtë. Nëse do ishte pjesë e marrëveshjes së paku do i adresonte diku tjetër e jo në biznesin e tij”, ka deklaruar avokati.

Avokati pretendoi në sallë se Hajri nuk ka asnjë komunikim me personat e përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës, përveç një bisede me Gentian Funiqin, që sipas avokatit kishte qëllim që t’i kërkohej Buxhdilit të tërhiqte akuzat. Por në fakt, SPAK gjatë procesit gjyqësor ka depozituar bisedat në SkyECC mes tij dhe Dritan Rexhepit e Gentian Funiqit, të dy të dyshuar se janë përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës.

“Nuk ka një përfshirje të Altin Hajrit në këtë ngjarje. Nuk ka asnjë komunikim të vetëm mes Altin Hajrit dhe personave të përfshirë. Nga SkyECC, komunikimi i vetëm i Hajrit me personat e përfshirë, ndodh pas 6 muajsh. Ai e kontakton të shmangë apo ushtrojë presion tek kopshtari Festim Bixhdili të tërheq atë që ka thënë. Por çfarë thotë Altin Hajri, që ç’ka pasur për të thënë e ka thënë, përfshirë ngarkesën që ka patur. Por çfarë shkelje penale mund të rezultojë këtu!?”, ka deklaruar avokati.

SPAK pretendon se nga tërësia e provave të mbledhura vërtetohen dyshimet se Altin Hajri, pronari i kompleksit ku u dërgua trupi i viktimës, ka pasur dijeni për rrëmbimin dhe ka bashkëpunuar me autorët e kësaj ngjarje të rëndë. Seanca e radhës është lënë me 24 mars, kur GJKKO pritet të shprehet me vendim për Hajrin, i cili rezulton një person në kërkim prej 5 vitesh, që pas zhdukjes së Jan Prengës.

Ngjarja e rëndë ndodhi në janar të vitit 2020, kur Jan Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës dhe më pas u dërgua në një resort në Shijak, ku edhe u pa për herë të fundit. Sipas hetimeve, ai u mbajt peng dhe u torturua, ndërsa trupi i tij nuk është gjetur ende. Prokuroria ka provuar se rrëmbimi i Jan Prengës ishte porositur si akt hakmarrjeje për një sasi droge të humbur në Angli, ku përfshihej vëllai i viktimës, Ndrek Prenga. Në këtë ngjarje dyshohet të jetë i përfshirë edhe Dritan Rexhepi, i njohur si një emër i botës së krimit, i cili dyshohet se e ka porositur rrëmbimin nga Ekuadori, ku ndodhej në atë kohë.

Apeli i GJKKO-së në vitin 2025 la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin me burgim të përjetshëm të Festim Bexhdilit, një tjetër i akuzuar në këtë çështje. Bexhdili ishte kopshtari i resortit ku Jan Prenga u mbajt peng dhe u torturua. Ndërsa Olsi Turja kamarieri i lokalit u dënua me 3 vite burg për veprën penale “moskallëzim krimi”.

Për të njëjtën ngjarje vijon gjykimi në një proces të ndarë për shtetasit Dritan Rexhepi, Korado Gështenja, Martin Bleta, Gentian Funiqi, Geraldo Martini, Aldo Majnishta dhe Artan Doçi.