Festim Bexhdili do të qëndrojë përjetë në qeli. Gjykata e Posaçme e Apelit, konfirmoi këtë të premte dënimin kapital të dhënë nga Shkalla e Parë për ish- kopshtarin e kompleksit “Golden” të të shumëkërkuarit, Altin Hajri, në Shijak.  

Vendimi në Apel u mor nga gjyqtarët Engert Pëllumbi, Igerta Hysi dhe Dhimitër Lara.

Kopshtari Festim Bexhdili ishte i vetmi nga të pandehurit në dosjen e parë, i cili u dënua nga shkalla e parë dhe Apeli me burgim të përjetshëm për rrëmbimin e Jan Prengës, por Gjykata e Lartë e riktheu sërish çështjen në Apel me një tjetër trup gjykuese.

Në seancën gjyqësore të mbajtur më 11 Korrik në Apel, prokurorët e SPAK mbajtën qëndrime të ndryshëm sa i përket dhënies së pretencës. Prokurorja Elida Kaçkini kërkoi të mbetet në fuqi burgimi i përjetshëm, ndërsa prokurori tjetër Behar Dibra, kërkoi 20 vite burg. Kaçkini këmbënguli se Bexhdili ka qenë pjesë e grupit të strukturuar kriminal dhe ka njohje me personat e tjerë të akuzuar për ngjarjen, kjo sipas saj e vërtetuar edhe nga komunikimet në “Sky Ecc”. Ndërsa prokurori Dibra tha se ai është gjendur në atë situatëm pasi është punonjës i kompleksit ky dyshohet se u vra Jan Prenga, dhe është urdhëruar për fshehjen e kufomës.

Jan Prenga u rrëmbye më 17 Janar të vitit 2020 në Kamëz. U dërgua në kompleksin “Golden” ku dyshohet se u dhunua për vdekje dhe asgjësimi i trupit ka dyshime se u bë në fshatin Pjezë, shumë pranë kompleksit, por ende nuk është gjetur.  Sipas SPAK rrëmbimi erdhi pasi vëllai i Jan Prengës vodhi një sasi kokaine në Britaninë e Madhe.

Urdhri për rrëmbimin e Prengës dyshohet se është  dhënë nga Dritan  Rexhepi dhe i bashkëpandehuri i tij Gentian Funiqi, organizimi është bërë nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Geshtenja, ndërsa ekzekutimi i rrëmbimit është bërë nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar. Gjatë seeancave në GJKKO, Dritan  Rexhepi e ka mohuar implikimin në rrëmbimin e Jan Prengës, teksa organizatori tjetër, Altin Hajri, pronari i kompleksit “Golden” ku ndodhi krimi, rezulton ende në arrati.