RRESHEN- Vetëm para pak vitesh godina e Pallatit të Kulturës në qytetin e Rreshenit e kishte humbur funksionin e saj. Shkak për këtë u bë mungesa e vëmendjes nga ana instancave përkatëse, të cilat fondet për kulturën në Mirditë nuk i kishin kurrë në axhendat e tyre.

Por tashmë falë punës këmbëngulëse të drejtuesve të këtij institucioni dhe kontributit financiar kryesisht të emigrantëve të kësaj krahinë, kjo qasje ka ndryshuar.

Pallati i Kulturës tashmë ështe kthyer në qëndrën e artit dhe aktiviteteve kulturore të kësaj krahine, teksa përveç rikonstruksionit total të ambienteve të tij, është hapur për herë të parë salla e arteve figurative.

Kthimi në identitet i Pallatit të Kulturës ka rikthyer në qytet edhe gjallërimin e jetës kulturore dhe artdashësit mirditor, i cili në çdo aktivitet tejmbush sallën.

Ndërkohë, edhe prania e vizitorëve të huaj në ambientet e Pallatit të Kulturës, të cilët kërkojnë të njihen me historinë dhe traditat e kësaj zone, nuk përbën më një risi.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)