Një rrugë e shembur e cila tani kalohet vetëm me një korsi, banesa të dëmtuara si pasojë e rrëshqitjes së dherave si dhe rreziku i e vazhdueshëm se situata mund të përkeqësohet nëse reshjet vijojnë. Kjo është gjithçka la pas në fshatin Vajzë të Vlorës moti i keq që ka përfshirë ditët e fundit thuajse të gjithë vendin.
“I gjithë mundi i jetës shkoi dëm.” Kështu e nis rrëfimin e saj kjo e moshuar e cila prej vitesh jeton në shtëpinë në Vajzë, por tashmë është detyruar të strehohet tek të afërmit.
“Vij e i shikoj, por është e kotë, nuk jetohet më. Banesat kanë rënë,” thotë ajo mes dhimbjes.”
Ajo rrëfen se që në momentin e parë të reshjeve, toka nën shtëpitë e tyre nisi të pësonte rrëshqitje.
“Dëgjuam sikur po goditej me gurë, por kur dolëm jashtë ishte një tmerr i vërtetë. Oborri po shembej dhe banesa e fqinjit po spostohej. Dolëm me vrap dhe pamë që gjithçka po shkoqej nën këmbët tona,” rrëfen e moshuara.
Floresha Islami tregon momentet dramatike kur banesat nisën të shembeshin, duke lënë pas vetëm frikë e pasiguri.
“Ndodhi gjithçka brenda pak minutash”, thotë ajo.
Banorët shprehen se banesat janë bërë të pajetueshme dhe kërkojnë ndihmë nga institucionet.
“Nuk futemi dot në shtëpi. Dy banesa janë shpallur të pajtueshme, ndërsa shërbimet e emergjencës na kanë thënë që edhe një familje tjetër nuk duhet të qëndrojë më në banesë, pasi kodra vijon të ketë rrëshqitje,” shprehen banorët.
Ende nuk ka një bilanc përfundimtar mbi dëmet që moti i keq la mbi fshatin Vajzë apo në zonat e tjera përreth.
Report Tv ishte edhe në fshatin “Arshi Lengo” shtëpinë e Agim Çelës ku 3 dit më parë u përmbyt nga ujërat nga lartësitë e kodrës
E rikthyer nga Greqia, e zonja Burbuqe Çela, e gjeti banesën të mbuluar nga gurë dhe baltë, që ende nuk ka mundur t’i nxjerrë jashtë.
“Kishin ardhur gurët nga maja e malit kishin hyrë nga dritarja kishin hyrë në shtëpi. Këtë shtëpi e kemi bërë me gjak dhe djersë, në shtëpi brenda nuk ka asgjë, janë shkatërruar të tëra. Kemi 3 ditë nuk hiqet balta. Të vijë shteti të na ndihmojë, të bjerë zetorët”, thotë ajo.
Komente








