Bllokohet plotësisht aksi kombëtar rrugor Qukës–Qafë Plloçë. Problematikat me rrëshqitjen kanë nisur ditën e sotme, ku së pari, në dalje të tunelit, u dëmtua një mjet, të cilin e zunë poshtë një pjesë e inerteve.
Më pas, në një prej segmenteve të këtij aksi, u bllokua një korsi e lëvizjes, megjithëse qarkullimi mbeti i hapur, ndërsa vetëm pak minuta më parë një rrëshqitje e re u evidentua në këtë aks rrugor, duke bllokuar të dy krahët e lëvizjes.
Aktualisht, aksi është i pakalueshëm për automjetet për shkak të ndalesës së vendosur nga kompania.
Sipas informacioneve, kompania po përgatit një rrugë alternative, ndërsa qarkullimi është plotësisht i bllokuar.
Gjatë gjithë ditës së sotme, në të gjithë aksin, i cili u inaugurua në muajin shtator të vitit të shkuar pas një investimi 260 milionë euro, ka pasur rrëshqitje që kanë sjellë problematika në qarkullim.
Ndalesat janë vendosur në të dy skajet e rrugës, konkretisht në Qukës dhe në Qafë Plloçë.








