Prej katër ditësh, banorët e fshatrave Bashaj dhe Vermik kanë mbetur të izoluar totalisht si pasojë e rrëshqitjes së një pjese të shpatit të malit, e cila ka dëmtuar rëndë rrugën kryesore lidhëse. Rrëshqitja e dherave dhe gurëve e ka bërë aksin të pakalueshëm, duke ndërprerë çdo komunikim normal të këtyre fshatrave me pjesën tjetër të zonës.
Përballë mungesës së një zgjidhjeje të shpejtë institucionale, banorët janë detyruar të marrin situatën në dorë. Që prej ditës së sotme, ata janë angazhuar vetë me lopata dhe mjete rrethanore për të krijuar një rrugë provizore, me qëllim rikthimin minimal të lidhjes së fshatrave me zonat përreth. Një përpjekje që flet qartë për vështirësitë e mëdha me të cilat po përballen dhe për nevojën emergjente për ndërhyrje të strukturuar.
Ndërkohë, ditën e djeshme në terren kanë qenë edhe forcat xheniere, të cilat kanë ndërhyrë për të mundësuar hapjen e një rruge alternative, me synim sigurimin e komunikimit të përkohshëm mes fshatrave dhe lidhjen e tyre me njëri-tjetrin.
Situata mbetet problematike, ndërsa rreziku për rrëshqitje të tjera është ende i pranishëm për shkak të terrenit të paqëndrueshëm dhe kushteve atmosferike. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia Selenicë dhe institucionet përgjegjëse, jo vetëm për hapjen e rrugës, por edhe për ndërtimin dhe fortifikimin e saj, në mënyrë që izolimi i përsëritur të mos kthehet në një realitet të përhershëm për këto komunitete.
Lajmi kryesor:
Moti i keq në Shqipëri/ Lumenjtë dalin përsëri nga shtrati, hidrocentrali i Fierzës nis shkarkimet










