Nisja e reformave për forcimin e kapaciteteve administrative, masave ligjore për të rritur arkëtimet e energjisë së konsumuar, duke luftuar vjedhjet e saj, shlyerjen reciproke të detyrimeve ndaj institucioneve, mospjesëmarrjen e kompanive në tendera publikë nëse nuk kanë shlyer faturat e energjisë, ka ndikuar në uljen e nivelit të humbjeve të energjisë elektrike, duke kontribuar në rritjen e të ardhurave për sektorin e Shpërndarjes në 50 milionë USD më shumë se vjet.

Burime të ministrisë së Energjitikës dhe Industrisë (MEI) bënë të ditur se, rreth 20% e energjisë elektrike vidhet, ku dëmi në buxhet llogaritet në 150 milionë USD/vit, ndërsa edhe rreth 20% janë humbje teknike nga mungesa e investimeve, parashikohet të rriten investimet, si dhe masat e ashpra ligjore ndaj vjedhësve dhe borxlinjve të faturave të energjisë.

Këto ditë pritet që OSHEE të nisë bashkëpunimin me Policinë bazuar në ndryshimet e reja në Kodin Penal, të cilat ashpërsojnë vjedhjen e energjisë, deri në burgim të personave që kapen me këto shkelje.

Këtë fakt e konfirmoi ministri Damian Gjiknuri dje në Kukës, ku u shpreh se, "ka ardhur koha e arrestimeve për vjedhje të energjisë. Ka ardhur momenti që njerëzit të përfundojnë në burg për vjedhjen e energjisë. Flas për biznese që vjedhin energjinë, nxjerrin fitim dhe nuk e paguajnë atë", ndërsa shtoi dhe se "masat në Kodin Penal janë shumë më të rënda, nuk ka më dënim me gjobë, është vepër penale e pastër dhe krim që duhet trajtuar në flagrancë".

Sipas burimeve të MEI-t, janë rreth 160 milionë USD që në bazë të një programi të plotë investimesh, ku përveç fondeve të Bankës Botërore ka dhe fonde të tjera nga partnerë ndërkombëtarë, do të investohen në sektorin energjitik, përfshirë reduktimin e humbjeve teknike.

Këto ditë gjithashtu do të finalizohet kalimi i aksioneve dhe kompania e Shpërndarjes (OSHEE) do të jetë në kontrollin e shtetit.

ATSH