Rreth 8000 mijë turistë vendas e të huaj kanë vizituar Parkun  Arkeologjik të  Bylisit në periudhën janar- gusht të vitit  2025.

Sipas përgjegjësit të parkut Ardit Shehu, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar vihet re një rritje prej 20%. Po sipas tij, vizitorët e huaj janë kryesisht polakë, çekë, gjermanë, francezë e spanjollë ndërsa pjesa e parkut  që frekuentohet më së shumti është teatri antik mbresëlënës, pesë bazilikat paleokristiane, mozaikët e rrallë, dhe agoraja, ndërsa si faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e numrit të vizitorëve nga viti në vit ka veçuar ndërtimin e rrugës së re Levan- Tepelenë- Parku Arkeologjik dhe promovimin në rrjetet sociale.

Ndërkohë veçanërisht të impresionuar ndihen turistët e huaj që vizitojnë për herë të parë këtë destinacion të rëndësishëm arkeologjik dhe historik pasi suprizohen edhe nga natyra e mrekullueshme piktoreske që ofron Lugina e Vjosës por dhe kodrat që e rrethojnë.

“Ne jemi në Shqipëri. Po bëjmë një turë prej 6 ditësh dhe jemi të interesuar për arkeologjinë dhe ushqimin duke qenë se guzhina shqiptare është e mirë. Kjo është arsyeja që jemi këtu , për murin e madh rreth kodrës”, thotë turisti.

“ Erdhëm nga Belgjika me makinë në Shqipëri, të vizitojmë vendin tuaj. Ka shumë asete të bukura arkeologjike , natyrore . Është një vend i panjohur për ne dhe na ka impresionuar sepse mund të vizitosh shumë vende, nuk është i mbipopulluar. Pjesa e detit është shumë e këndshme , ndërsa përshtypja e parë këtu është për një vend të bukur, nga fillimi i kodrës , deri te muret e mëdha, dhe ne do të vazhdojmë të vizitojmë akoma më shumë”, thotë turisti.

“Ne jemi nga Republika Çeke, nga Praga. Është hera e parë në Shqipëri, dhe mendojmë se është një vend i bukur, natyrë shumë e këndshme dhe site turistike. Ne e kemi njohur Shqipërinë nëpërmjet Domap sepse ne kemi hyrë në site arkeologjike per tu informuar , do të jetë një eksperiencë e bukur për ne”, thotë turisti.

Ndërkohë, duke pasur parasysh rritjen e numrit të turistëve nga viti në vit në Bylis, dhe për shkak të rëndësisë së tij kulturore dhe potencialit turistik , në janar té vitit 2026 pritet të fillojë zbatimi i programit  prej 6 milionë e 250 mijë  euro, që BE do të ofrojë për konservime, punime restaurimi, përmirësime të infrastrukturës si dhe përkrahje të potencialeve të zhvillimit ekonomik të sitit ka theksuar Shehu.

Falë këtij projekti, Parku Arkeologjik i Bylisit pritet të hyjë në një fazë të re të ruajtjes dhe promovimit , falë mbështetjes së Bashkimit Europian .