Rreth lëvizjeve të fundit të Edi Ramës

Rreth lëvizjeve të fundit të Edi Ramës
Katër janë lëvizjet e fundit të krytetari të PS-së, Edi Rama, jo të katërta të një kategorie, të cilat kanë provokuar reagime dhe debate të pazakonta në aulën politike dhe mediataike të vendit. 1-Kandidimi i Adrian Vishës për postin vakant të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë . 2-Protagonizmi për zgjedhjen e Presidentit. 3-Vajtja në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut.4 -Takimi më Ilir Metën në vilën e këtij të fundit në gjirin e Lalzit.

Këto lëvizje, sidomos e para dhe e katërta, kanë krijuar turbulencë sepse përfaqësojnë një moment pagëzimi apo rilindjeje të Edi Ramës si pragamatist, pasi ishte investuar disa vite me radhë në imazhin e një misionari. Përballë valës së reagimeve kundërthënëse, zoti Rama e ka ndjerë të nevojshme të zbresë vetë në agoren e shtypit për të shpjeguar e argumentuar pse dhe qysh, duke i përfshirë lëvizjet e tij nën egidën apo ombrellën e politikës së re të pjesmarrjes, përgjegjësisë dhe dialogut, që janë vërtetë tri fjalë kyçe të politikës kontruktive. Nuk ka dyshim se kjo lloj politike, e nevojshme si ujët e pakët për Shqipërinë, nuk e ka të lehtë në fushën e minuar me paragjykime, injorancë dhe urrejtje. Një pjesë e kundërshtive që kanë hasur lëvizjet e Ramës lidhen edhe me mendësinë e llogoreve, me kulturën e konfliktualiteti dhe me sëmundjet e tjera të politikës së vjetër, nga të cilat politika e re në këtë vend, ngado që të vijë, duhej të shkëputet njëherë e mirë. E kemi nënvizuar me dhjetra herë. Palët në politikë i krijon populli me votë. Dialog me vetem nuk ka. O me të tjerët, o fare.

Por duke bërë këtë pohim të përgjithshëm që justifikon, rehabiliton dhe lartëson çdo përpjekje për të ushqyer kulturën e përfshirjes dhe dialogut politik në vend, që ka ekzistuar edhe më parë në Shqipëri, në momente edhe më të vështira se sot, duhet të shënojmë gjithashtu se pjesmarrja dhe përgjegjësia marrin vlera ose kundërvlera në qëndrimet konkrete të liderit në rrethana konkrete. Këndej, duke u nisur nga rastet konkrete, kanë lindur edhe reagimet dizaprovuese të shumë kolegëve mendjehapur. Sidoqoftë, lëvizjet e lartpermendura nuk janë për tu futur në një thes, apo nën një ombrellë. T’i marrim me radhë, si sipas radhës.

Vajta në emisionin “Opinion” te Blendi Fevziut
S’ia vlen të diskutohet. Marrja distancë nga një media apo emision popullor mund të përligjet si qëndrim intelektual, por nuk ka sens për një lidër politik, që synon ta çojë mesazhin e tij te sa me shumë njerëz. Frekuenca dhe momenti i vajtjeve janë tjetër gjë. Këto varen nga “sekretet” e shumta të komunikimit publik, që keshilltarët e medias apo vetë lidërit duhet t’i njohin. Unë habitem që Berisha nuk shkon te Sokol Balla apo Rudina Xhunga në Top Chanell.

Protagonizmi për Presidentin
Opozita dhe kreu i saj mirëpriten në rolin aktiv që duan të luajnë për zgjedhjen e Presidentit, edhe pse realisht e kanë shkarkuar ndjeshëm veten e tyre nga detyrimet e kësaj natyre me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, sipas të cilave Presidenti, në rundin e katërt zgjidhet me shumicë të thjeshtë votash, shtatëdhjetë plus një. Por kanë ndodhur shumë ngjarje, ka disa pritshmëri që diktojnë rikthimin te shumica e cilësuar. Rama dhe opozita kanë arritur diçka në betejën parimore që po zhvillojnë : kanë bërë që kryeministri Berisha të vijë dora-dorës, edhe falë ndikimit të ndërkombëtarëve, te opsioni i një presidenti të negociuar. “Presidenti i negociuar” është akoma një nocion i mjaft i papërputhshëm me “presidentin konsensual”. Berisha e mban në hava konceptin e tij për të manovruar dhe për të dalë sa më i larë në lojën e interesave të veta. Atij do t’i pëlqente dhe do të ishte i justifikuar para ndërkombëtrëve nëse Rama punon për një president të aleancave fluide, që do të zgjidhej me shumicë të thjeshtë. Kjo betëjë mund të bëhët, por është me rrezik se mund ta fitojë Berisha dhe askush nuk mund t’i thotë gjë. Unë mendoj se Rama do të vijojë të ruajë një protagonizëm efikas dhe të padëmshëm për Presidentin, duke shtyrë përpara me konsekuencë formulën e marrëveshjes me grupin e shumicës. Nëqoftëse Rama nuk do të ketë ekuivoke në këtë qëndrim, Berisha nuk do të ketë arsye të mos e lëshojë Presidentin,në kuptimin që të mos e kërkojë patjetër nga partia e tij. Nuk i duhet. Në këtë betejë të veçantë, ku loja vlen më shumë se rrezultati, zgjidhjet e ndërmjetme janë të shkëllishueshme. Ose marrëveshje, ose tërheqje, ose opozita, në një rrethanë specifike, vendos të dalë me kandidatin e saj politik, me të cilën kërkon të provojë ndershmërisht në kutinë e fshehtë dhe të bëjë diferencën në planin moral me shumicën.

Propozimi i Vishës si anëtar i KLD-së
Sa më shumë shpjegohet, aq më i rëndë bëhët. Visha u propozua nga PS për të tentuar një rrjedhje votash nga shumica. Pra u propozua fiks si avokat i Fatmir Mediut për çështjen e Gërdecit. Kriteri nuk ishte kandidati më i mirë, por kandidati që mund të marrë vota nga pala kundështare. Këtu nuk hyn fare zotësia apo pazotësia e Vishës si jurist, sikurse nuk është në shyrtim fajësia apo pafajësia e prezumuar e Mediut. Me këtë propozim propozuesi e ekspozoi dashje pa dashje qëndrimin e metejshëm ndaj Gërdecit si retorikë. Unë nuk e përjashtoj, madje e quaj të ndershme, edhe pse nuk ndaj të njëjtin mendim, që ashtu si juristi socialist A. Visha të ketë edhe juristë e politikanë të tjerë në PS që ta konsiderojnë të ezuaruar çeshtjen e Gërdecit në suazën e hetimeve që janë kryer dhe dënimëve që janë dhënë. Por në planin e zgjedhjes politike “Visha” dhe “Gërdeci” nuk mund të rrinë bashkë. Nuk është në shijen time, por do të pranoja që opozita të synojë të marrë diçka që nuk i përket kur i del në shteg. Nuk janë në shijet e mia, por do t’i pranoja edhe aleancat fluide për çeshtje me rëndësi të veçanta. Por kurrë duke lënduar plagë të hapura, apo duke shkelur brezin e zonjës Marie, siç thotë populli. Nuk arrij ta kuptoj, Rama duhet të reflektojë për këtë history, të japë garanci se qëndron mbi koloninë e juristëve pa ngjyrë, që ushqehen sëbashku në tenderin e madh të Drejtësisë; të dëshmojë se kjo me Vishën ishte një ngjarje e shkëputur, që nuk tregon orjentimin e neserm të meritokracisë në në atë parti.

Takimi me Metën në vilën e këtij të fundit
Një arsye shumë fortë padyshim e ka nisur shefin e opozitës dret Lalzit, ku Meta ka një vilë banimi që ka marrë edhe trajtat e një vile pune. Cila arsye? Do të rrezikonim të dukeshim qesharakë, po të thoshnim çeshtja e Presidentit. Kjo mbetet në diskrecionin e shefit të opzozitës, i cili me shumë se asnjë opozitar tjetër ka pavarësinë të mendojë e veprojë për planin e fitores. Rama mund t’i kapërcejë, siç kanë bërë të tjerët përpara tij, fyerjet, sharjet, sfidat. Rama madje mund të vendosë të dorëzohet në frontin e etikës, duke rehabilituar me pragmatizmin e tij të ri gjuhën e mllefit të skajshëm dhe dhunës verbale të kundërshtarëve të tij. Unë do ta vajtoja këtë humbje, por vetëm kaq. Problemi i darkës së tij me Ilir Metën, që nuk ka të bëjë fare me pragmatizmin, është konteksti politik.
Në jehonën e tij të kontrolluar apo spontane takimi përcjell mesazhin se opozita, pas tre vjetësh aksion politik kundër një qeverie që vazhdon të qeverisë në krizë, nuk fiton dot pa bërë aleancë me një parti qeveritare, siç është LSI-ja. Kjo është njëlloj si të deklarosh kapitullimin dhe ta lësh fatin e fitores në dorë të të tjerëve. Akoma më e rëndë bëhët anomalia në fjalë, kur mendon se takimi është zhvilluar në momentin më të keq për qeverinë përsa i përket rreshqitjes së treguesve të krizës. Takimi ndërkaq është zhvilluar edhe në kushtet e një krize apo ngrirjeje relative të Ramës me aleatët e Opozitës së Bashkuar, me të cilët ka zhvilluar deri tani disa nga betejat e tij kryesore. Marrëdhëniet e PS-së me aleatët opozitarë kanë veçoritë e tyre. Mund të zgjerohen, mund edhe të zvogëlohen në vartësi të zhvillimeve dhe marrëveshjeve. Kjo është një histori me vete. Por shefit të Opozitës nuk do t’i shkonte në asnjë rrethanë t’i jepte status të dyfishtë një partie qeveritare, sikur ajo nuk është për tu mundur, por paska lindur për të qenë gjithnjë në qeveri. Kjo nuk është dëgjuar, është e panatyrshme dhe me kosto për opozitën. Po t’i japë populli Ilir Metës përsëri votat për të qenë qeveriberës dhe po të dalë koalicioni opozitar përpara koalicionit qeveritar, Meta vjen vetë në qeveri, e tërheq vetë era e pushtetit, s’ka nevojë fare për darkë në gjirin e Lalzit. Diskutimi që tani për një aleancë të mundshme PS-LSI fillon me daljen e LSI-së në opozitë. Ky është hapi i parë elementar dhe themelor. Çdo diskutim apo veprim që injoron këtë hap është thjesht një lajthitje. Meta ka thënë se nuk do të lëvizë deri në vitin 2013. Do të thotë se mund të lëvizë pas zgjedhjeve, por çështja është se si do të kandidojë: si parti qeveritare apo opozitare. Hileja nuk mund të funksionojë dy herë. Herën e parë votat që mori për të larguar Berishën i përdori për ta mbajtur atë. Do të ishte një çudi e madhe e tij tij që herën e dytë të marrë vota me Berishën për t’i përdorur për të kundërtën. Problemi është se këtu askush me përjashtim të Kreshnik Spahiut nuk po llogarit se ka edhe publik, ka zgjedhës, ka qetetarë, ka popull. Të gjithë e marrin elektoratin të ndarë me feta, si një gjë të ngrirë, që nuk gjykon, nuk ndryshon. Disa të tjerë llogarisin të blejnë ose edhe t’i vjedhin votat e tyre, që i lejojnë të zdërhallen si pallallarë me fatet e vendit.

I pari që po përpiqet që kjo histori të arshivohet njëherë e përgjithmonë është e duhet të jetë shefi i opozitës, Edi Rama. Ky ka përqafuar prej disa muajsh kursin e ri, që në thelb është kundërkursi i politikës së forcës, i protestave, bojkotit dhe distancës që u ndoq në dy vitet e para. Kursi i i pjesmarrjes dhe përgjegjësisë nuk mund të jetë i ri duke u shartuar me të vjetrat e zakoneve politike në këtë vend. Përkundrazi. Një shartim i arsyeshëm i misionarit me pragmatistin, pa e shdukur të parin dhe pa e tepruar me të dytin- kjo do të ishte sipas meje figura adekuate e shefit aktual të opozitës në këtë përiudhë.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Ndodh pas dhjetë vitesh konflikti, 28 Nëntori bën bashkë 'Ballistët' dhe 'Shvercerat' në Tetovë: Mirë se vini vëllezër nga Shkupi

Ndodh pas dhjetë vitesh konflikti, 28 Nëntori bën bashkë 'Ballistët' dhe 'Shvercerat' në Tetovë: Mirë se vini vëllezër nga Shkupi