Për t’i shpëtuar shkrirjes, Universiteti i Korçës kërkon të bashkohet me Universitetin e Tiranës. Senati Akademik ka miratuar unanimisht kërkesën për t’u kthyer në një filial të Universitetit të Tiranës.

“Me vendim të senatit akademik të universitetit Fan Noli për hapjen e dritës jeshile për të proceduar me hapet e mëtejshme për finalizimit për një bashkim të mundshëm mes universitetit të Korçës dhe atë të Tiranës”, tha rektori Dhimitri Bello.

Nëse do të vendoset edhe nga senati i Universitetit të Tiranës, “Fan Noli” do të kthehet në një korpus, i cili do të mbajë të pandryshuar emrin dhe logon, gjithashtu nga bashkimi nuk do të rrezikohet mbyllja e programeve të studimit dhe as shkurtimi i vendeve të punës.

“Me dy korpuse të ndryshme, korpusi i Tiranës dhe korpusi Fan Nol. Do ketë të njëjtin emër, vetëm se do jetë pjesë integrale e universitetit të Tiranës. Ne nuk kemi pasur probleme financiare, kemi mund që të realizojmë rritjen e pagave, por në kuadër të politikave që bëhet në komisionin e orientimit të politikave të arsimit të lartë, ku janë të gjithë rektorët e universiteteve publike dhe një pjesë e mirë qeverisë. Orientimet janë drejt maksimizimit të forcave universitare brenda për brenda disa trupave, që mos të jenë pjesë të vogla institucione të ndryshme. Ky bashkim do sjellë rritje të cilësisë dhe hapjen e programeve shumë cilësore në të ardhmen.

Në rastin më të mirë bëhet për një vit. Jam optimist që në të ardhmen të dyfishojmë numrin e studentëve. Ata që kanë qenë mësimdhënës, pedagogët që kanë dhënë kontributin për vite me radhë do të kenë mundësi ta bëjnë në një institucion dhunë më të madhe dhe me më shumë emër se ky që kemi aktualisht me një numër të reduktuar studentësh", tha rektori.

Bello ka reaguar dhe ndaj qëndrimit në Facebook të ministrit Niko Peleshi, i cili tha se universiteti duhet të reformohet.

“Postimi i tij si qytetar, si deputet, si ish kryetar i bashkisë mua më duket i drejtë, unë e vlerësoj që interesohet për universitetin e Korçës, por tek pjesa ku thuhet të mos dorëzohemi nuk jam dakord, ne po luftojmë më fortë dhe nuk duam që universiteti të mbyllet”, vijoi ai.

Universitetet në rrethe, përfshirë atë të Korçës prej vitesh përballen me rënie të ndjeshme të numrit të studentëve e për pasojë mbylljen e disa degëve të studimit në fakultetin e Shkencave dhe Gjuhet e Huaja. Në Korçë aktualisht studiojnë 3 mijë studentë, ose 20 për qind më pak se një vit më parë.