Në një prej kabllogrameve të Wikileaks, ish-ambasadori i SHBA në Tiranë, John Withers, nxjerr një të vërtetë tronditëse sa i takon asgjësimit të lëndëve helmuese luftarake në Shqipëri, gjë që është mbajtur sekret për publikun.

Në Qafë Mollë janë të depozituara mbetjet e atij asgjësimi, në kontenierë plastikë, por rrezikojnë përhapjen në natyrë. Ish-ambasadori Withers shkruan se kompania që bëri asgjësimin, shprehte shqetësim për 30 kontenierët ku ndodheshin mbetjet e rrezikshme.

“Megjithatë, më pas, agjencia zbatuese, DTRA (Agjencia e Mbrojtjes për Reduktimin e Rrezikut) pranoi që të paketonte mbetjet në konteinerë me veshje të dyfishtë kundër rrjedhjes, që do t’i mbanin mbetjet të sigurta për 20 vjet në strukturën e Qafë Mollës. Kjo do të lejonte kohën e mjaftueshme për të ndërtuar një strukturë për mbetjet e rrezikshme, e cila do të ishte e aftë t’i përballonte ato. Agjencia e Mbrojtjes për Reduktimin e Rrezikut mori paratë dhe u largua përpara se ta përfundonte punën dhe la pas disa kontenierë shtesë për mbetjet që do të menaxhoheshin nga shqiptarët. Megjithatë, më pas, agjencia zbatuese, DTRA (Agjencia e Mbrojtjes për Reduktimin e Rrezikut) pranoi që të paketonte mbetjet në konteinerë me veshje të dyfishtë kundër rrjedhjes, që do t’i mbanin mbetjet të sigurta për 20 vjet në strukturën e Qafë Mollës”, shkruan Withers.
Në kabllogramin e 5 viteve më parë, tregohet se si Qafë Molla përbënte rrezik për fatkeqësi natyrore për shkak të lëndëve kimike.

“Ekspertët mjedisorë vlerësuan se kontenierët plastikë të Agjencisë së Mbrojtjes për Reduktimin e Rrezikut shërbenin vetëm për pesë deri në 10 vjet për ruajtjen nga kontaminimi dhe jo 20 vjet siç pretendohej. Edhe pse në Qafë Mollë është një zonë e izoluar në një anë mali, që rrethohet nga tela me gjemba dhe e ruajtur nga forca ushtarake, ekziston mundësia e një katastrofe natyrore, që mund të shkaktohet nga ndonjë tërmet, apo zjarr në pyll. Nga kjo mund të derdhen jashtë mbetjet e rrezikshme”.

Sipas ish-ambasadorit amerikan John Withers mbetjet në Qafë Molle janë një pjesë e vogël e lëndëve të rrezikshme në të gjithë vendin, pjesa më e madhe ndodhej në bazat ushtarake. Ndërsa njerëzit kanë ndërtuar shtëpitë pranë bazave ushtarake, dhe në disa raste, janë strehuar brenda në këto baza, shumë prej tyre nuk e kuptojnë rrezikun që u kanoset.

Redaksia Online