Rreziku nuk ka kaluar

Rreziku nuk ka kaluar

Patrullimi i Policisë së Kosovës në hyrje të fshatit Banjskë

Ka një tendencë madje edhe në mediat e pavarura serbe që për sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës të shfajësohet Vuçiqi, duke ia ngarkuar fajin “strukturave”, “shërbimeve”, shefit të shërbimit sekret Vullin dhe ministrit të Mbrojtjes Gashiq, grupeve të fuqishme kriminale në veri të prira nga Millan Radojçiqi etj. Ka edhe bjerrakohës të tjerë që notojnë nëpër moçalin e botës digjitale dhe “analizojnë” se Vuçiqi nuk ka pasur interes të ndodhë kjo.

E vërteta është kjo:

- Vuçiqi e ka bashkëpunëtor të ngushtë Vullinin, të cilin e ka emëruar shef të shërbimit sekret BIA. Më parë ai ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe i Brendshëm

- Vuçiqi ka vite që mbron me të gjitha mjetet dy krerët e mafies në veri të Kosovës: Millan Radojçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin. Të dy janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

- Grupet kriminale serbe në veri nuk do të ishin kaq të fuqishme pa përkrahjen e regjimit të Vuçiqit

- Edhe po të mos kishte interes të ndodhë kjo tani, Vuçiqi e ka krijuar një monstrum kriminal në veri dhe ky monstrum herët apo vonë kryen vepra monstruoze

- Çdo serb i Kosovës (sidomos në veri) që ka guxim të jetë lojal ndaj shtetit të Kosovës, është i rrezikuar nga strukturat kriminale të kontrolluara nga Beogradi. Këtë e tregojnë djegia e veturave të serbëve që kanë pranuar targat e Kosovës dhe arrestimi në Serbi i serbëve kosovarë që punojnë apo bashkëpunojnë me institucionet legale të Kosovës. Në Graçanicë, për shembull, përkrahësit e Vuçiqit e terrorizojnë edhe një fëmijë serb që luan futboll me bashkëmoshatarët e tij shqiptarë

-  Paraqitja teatrale e Vuçiqit mbrëmë para mediave në Beograd tregoi, mes tjerash, me sa vijon: 1) sulmin terrorist presidenti serb e quajti “kryengritje” kundër zullumit të Kosovës dhe kësisoj, në fakt, e arsyetoi vrasjen e policit kosovar, 2) u mllefos që një gazetare e pyeti për uniformat e terroristëve, duke thënë se ato s’ishin të forcave serbe të sigurisë dhe se mund të blihen kudo, 3) gjerë e gjatë u mor me mjetet e transportit të terroristëve duke pretenduar se bëhej fjalë për disa automjete civile të modifikuara – fotografitë tregojnë të kundërtën. Ky aksion terrorist nuk është përgatitur gjatë fundjavës... Municioni, armatimi, pusia e ngritur nga terroristët, ikja e tyre në manastir me tendencë për të shkaktuar gjakderdhje duke i marrë peng besimtarët civilë - janë shenja të qarta për një aksion të përgatitur me javë, në mos muaj dhe me prapavijë jo vetëm logjistike në Serbi

- Marrë parasysh të gjitha këto, zjarrvënësi e ka një emër: ai është Aleksandar Vuçiq. Pas aksionit kriminal në veri, pas konferencës së mbrëmshme për media (me pauza dramatike, shfryrje qesharake, krekosje, gënjeshtra, manipulime, shtirje, luajtje të rolit të viktimës) – sot Vuçiq takoi ambasadorin e Rusisë në Beograd. Një takim koordinues pas krimit terrorist në veri të Kosovës...

- Roli destruktiv i Serbisë në veri të Kosovës nuk ka marrë fund dje. Ekziston rreziku që gjendja të përshkallëzohet. Autoritetet e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshme për këtë. Maturi dhe vendosmëri maksimale, përfshirë dialogun dhe koordinimin me faktorët relevantë ndërkombëtarë

- Nëse disa nga terroristët sulmues kanë arritur të ikin në Serbi, Kosova duhet të insistojë që ata të ekstradohen në Kosovë ose të ballafaqohen me ligjin në Serbi (ka pak gjasa të ndodhë kjo). Por është e drejtë legjitime e Kosovës të kërkojë ndëshkimin e terroristëve - siç i quajti edhe Bashkimi Europian.

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja