Malltezi: Rrëzimet dhe ngritjet e Luiza Gegës njësoj me ato të vetë Shqipërisë

Malltezi: Rrëzimet dhe ngritjet e Luiza Gegës njësoj me ato të vetë Shqipërisë

Luiza Gega

Një media italiane e specializuar në atletikë e quan “e vogla gjigande” dhe vazhdon më tutje të shprehë keqardhjen se në disiplinën ku Luiza Gega mori medaljen e artë duke thyer rekord europian, “Italia është në vitin zero”. Në 3000 metra me pengesa Luiza doli e para me një rezultat të artë: 9’11”31. Edhe pse Italia e ka të gjatë listën e medaljeve të arta në këtë kampionat europian në Gjermani, fitorja e Luizës sonë i bën zili të apasionuarve të kësaj disipline. Media e huaj i dha jehonë fitores së kampiones sonë, por askush prej tyre nuk mund as ta imagjinojë se çfarë është bërë me sportistët dhe sportin në gjithë këto vite në Shqipëri. Si ua morën fushat, pallatet e sportit, anekset e stadiumeve, deri edhe dietat e vogla duke i lënë në mjerim.

Luiza Gega është sot 33 vjeç dhe në 5 nëntor 2022 mbush 34. Një atlete e dashur për sportëdashësit, për gazetarët, për të gjithë shqiptarët. Dhjetëra intervista i janë bërë asaj në të gjitha sfidat që ka kaluar, por edhe për të gjitha vështirësitë që një atlete shqiptare ka pasur në tranzicionin tonë të vështirë. Nëse ka një sportiste që është vërtetë popullore dhe super e njohur në Shqipëri, ajo është Luiza Gega. Me sinqeritet, por asnjëherë me mllef, ajo është rrëfyer shpesh për gazetarët dhe ata i ka pasur miq dhe dashamirës të mirë. Fitorja e medaljes së artë në Mynih në kapërcimin e pengesave në 3000 metra është vetëm kurorëzimi i një ëndrre që ajo e kishte ndarë, shprehur, lutur.

Po siç ndodh e siç jemi mësuar me ngjarjet e mëdha që na kapin të papërgatitur në të përditshmen tonë të vogël, edhe lajmi i medaljes së artë të Luizës, tronditi jo pak. Shumë bënë urimin e përzemërt dhe u krenuan me rezultatin. Nuk jemi mësuar me kampionë dhe dihet, për këtë kanë punuar, kemi punuar të gjithë. Sporti në kohë trazirash e destabilizimi, mbetet një luks, por ajo që është bërë e zhbërë për sportin në Shqipëri mbetet një kapitull tepër i trishtuar dhe më vete, ende i painvestiguar, i pahetuar dhe i pandëshkuar.

Në korin e atyre që qanë për kushtet e sportit dhe të sportistëve tanë u përzinë dhe u bashkuan edhe ata që u kanë hequr sportistëve fusha, anekse stadiumesh dhe u kanë grabitur deri edhe dietat. Dhe si në shumë debate të tjera të mëparshme dhe me siguri të mëpasme, këta shqiptarë shkatërrues do të vazhdojnë të flasin e të bërtasin sikur nuk janë shkaktarë për kushtet që sot ka një Luizë e qindra të rinj të tjerë që duan t’i afrohen sportit dhe sporteve në përgjithësi. Por më hileqarët e më të pagëlltitshmit mbeten ata që mbështesin dhe sponsorizojnë larjen, pastrimin dhe kthimin e shkatërruesve të sportit në Shqipëri dhe bëjnë sikur qajnë sot për vështirësitë e Luiza Gegës, e cila, në lartësinë e 166 cm të saj dhe të vetëm 45 kilogramëve mishëron gjithë sakrificat dhe rezistencën e vetë Shqipërisë: Pavarësisht stërkëmbshave, vështirësive, ecën përpara dhe pse jo, merr, papritur, të Artën Medalje.

a.m./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Dyli: 23/08/2022 09:29

    Me nje ndryshim. Luiza kampione me medalje ari ndërsa Shqipëria si karroca Dylit. I lëvizin të gjitha rrotat.

    Përgjigju
  • flori: 22/08/2022 23:46

    BRAVO LUIZA,,,PO TE ISHAM UNE NE VENDIN E RAMES DO I JEPJA LUIZES 100 MILION LEKE TE VJETRA SHPERBLIM MONETAR,,,,, DHE SHPERBLIM TE VECANTE USHQIMOR PER LUIZEN PER TE PAKTEN 1O VJET PER KETE SUKSES TE JASHTEZAKONSHEM...........

    Përgjigju
    • Anisa: 23/08/2022 12:01

      I KAN DHEN 200 MIJ EURO.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë