Me dhjetëra makina sot kaluan mbi grurin që erdhi nga Ukraina, pasi trajleri që po e transportonte u përmbys në autostradën Tiranë-Durrës. Për këtë ka reaguar ashpër deputeti socialist Erion Brace duke thënë se është e shëmtuar që policia shkel me këmbë grurin dhe lejon makinat të kalojnë. Braçe e cilëson të pafat faktin që trajleri me një pjesë të grurit që kishte ardhur nga Ukraina u rrëzua në rrugë.

“Është grurë, grurë për bukë. Zotërinj të policisë, nuk kalojnë makinat mbi grurë, as ju vetë me këmbë mbi grurë! Është e shëmtuar! Kamioni mesa duket ka dalë nga porti ku anija solli grurin nga Ukraina! Pa fat! Por jo deri këtu”, shkroi Braçe.

Pas rrëzimit të trajlerit në rrugë, policia shkoi menjëherë në vendngjarje që të bënte të mundur lehtësimin e qarkullimit të makinave pasi u krijua trafik i rënduar me radhë kilometrike. Por fakti që kanë shkelur mbi grurë dhe kanë lejuar mjetet të kalojnë para se të mblidhej sasia e madhe që ishte përhapur në autostradë, ka bërë që Erion Braçe të mos e tolerojë këtë veprim dhe të reagojë me tone të ashpra.

Një ditë më parë nuk e konsideroi aspak lajm të mirë faktin që mbërriti një anije me grurë nga Ukraina, për shkak se mijëra tonë grurë po i mbeten pa shitur bujqve vendas. 

Anija me 6 mijë ton grurë mbërriti dje në portin e Durrësit dhe u ankorua në kalatën nr.2. Gruri ka mbërritur në vend për llogari të një kompanie mielli në Shqipëri. Nga Deti i Zi, Odesa, u deshën disa ditë që anija të mbërrinte, me një ndalesë në një port turk. Anija mund të qëndrojë në port për rreth 3 ditë, deri në përfundimin e procesit. Janë vënë në dispozicion dy anije dhe një numër i madh automjetesh që bëjnë transportin e ngarkesës. Pas kësaj priten edhe anije të tjera me drithëra në Durrës nga Ukraina, por kjo varet nga marrëveshja Ukrainë – Rusi.