Një raport auditi i Kontrollit të Shtetit përgjatë 2020-ës deri në 2023, evidenton se në Shqipëri, importohen barna pa analiza laboratorike të detyrueshme, duke rritur rrezikun për ilaçe pa standard. Në vitin 2023, u importuan 837 ton barna farmaceutike më shumë se 2022-shi, por me kosto më të ulët, duke ngritur dyshime për cilësinë e tyre. 80% e barnave në vendin tonë, janë gjenerike, thënë thjesht, kopje të ilaçeve origjinale, me kosto shumë më të ulët.
***
Shqipëria ndër vite po importon më shumë ilaçe, por edhe pse barnat shtohen, kostot e blerjes së tyre ulen. Kjo për Kontrollin e Lartë të Shtetit, është kambana e parë e alarmit, se cilësia e barnave dhe efektet që ato japin, mund të jenë larg standardeve.
“Në vitin 2023 rezulton një rritje konsiderueshme e importeve prej 837 ton barna farmaceutike krahasuar me vitin 2022, por me një kosto më të ulët prej 791.000 lekësh për ton barna", tha Arminda Bushi, Drejtoresha e departamentit të performancës në KLSH.
Shifrat, janë pjesë e një raporti-auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën 2020-2023, gjetje të cila iu prezantuan Kuvendit të Shqipërisë, në Nënkomisionin parlamentar për Auditimin e Sektorit Publik
Disa lloje barnash hyjnë pa iu nënshtruar analizave në Shqipëri, sipas një vendimi qeverie të 2015-ës, dhe sipas përfaqësueses së KLSH-së në Kuvend, paraqesin "një rrezik të konsiderueshëm për cilësinë dhe sigurinë, veçanërisht pasi këto barna mund të importohen nga vendet e treta pa analiza laboratorike të detyrueshme.”
Sipas auditit të KLSH-së, kjo i hapi shtegun, futjes së barnave pa standarde në vend.
"Barnat gjenerike tani dominojnë tregun shqiptar, duke përbërë 80% të autorizimeve të tregtimit", u shpreh Bushi.
Barnat gjenerike, janë kopje të barnave origjinale, të prodhuara nga kompani që përdorin të gatshme formulën e patentës së ilaçit origjinal, por me tjetër emër tregtar. Duke qenë se kompania që i prodhon nuk paguan kostot e kërkimit shkencor, këto ilaçe, janë shumë me të lira.
Probleme – auditi i Kontrollit të lartë të Shtetit, sheh edhe te lista e barnave të rimbursuara. 43 barna alternative të para nuk janë në regjistrin e barnave
KLSH thekson se mungesa e një strukture të posaçme në Ministrinë e Shëndetësisë për kontrollin periodik të aktiviteteve të agjencisë se Barnave dobëson llogaridhënien dhe rrit rrezikun e përsëritjes së problematikave në sistem.
Komente








