I ftuar në emisionin “Rreze Dielli në Report TV, Dragoti dhe shkrimtarja Rita Petro dhanë mendimin e tyre për këtë ndryshim në shoqërinë shqiptare.
“Brezat që nuk janë të përshtatur me teknologjinë e re dhe që akoma kanë të nevojshme shoqërinë, komunikimin ballë për ballë, i shmangen rrjeteve sociale, nuk e pëlqejnë aq shumë virtualitetin se sa komunikimin fizik, kjo bën që njerëzit të kenë nevojë që të martohen. Kam përshtypjen se tek moshat e reja ka rënë niveli dhe dëshira për martesë.”-tha Dragoti.
Sipas tij, pasiguria ekonomike dhe ajo shoqërore kanë ndikuar gjithashtu në rritjen e moshës së martesës. Por mbi të gjitha mënyra e të menduarit në shoqërinë shqiptare, ku sa vjen dhe po mbizotëron kultura individualiste në raport me atë kolektiviste që ka mbizotëruar gjatë komunizmit.
Dragoti, i cili ka mbi 30 vjet përvojë në psikologji sociale mendon se shumica e atyre që martohen mbi 50 vjeç janë martesa të dyta. Ndërsa i pyetur pse është rritur ndjeshëm numri i grave që martohen pas moshës 50 vjeç, profesori tha se ndikojnë shumë faktorë.
“Një nga faktorët është se ka më shumë liri mendimi, jete se sa më parë. Ka ndryshuar mënyra e të menduarit per jeten. Së dyti nga zhvillimi i shpejtë i shoqërisë në përgjithësi dhe kryesisht i teknologjisë, njerëzit kanë më shumë nevojë për komunikim dhe për një partner. Së treti është zgjatur jeta dhe është rritur mosha mesatare e popullsisë shqiptare. Gratë jetojnë më shumë ndaj, kanë një hapësirë jete më të gjatë ndaj dhe kërkojnë më shumë. Një tjetër faktor mund të jetë migracioni, lëvizjet e popullsisë nga fshati në qytet, nga brenda-jashte, nga jashte-brenda. Nje element tjeter mund te jete edhe liria me e madhe seksuale tek njerëzit”-tha Dragoti.
Rita Petro: Nuk do të rimartohem kurrë më
Ndërsa shkrimtarja dhe botuesja Rita Petro e cila gjithashtu mendon se gratë kërkojnë më shumë ndaj vetes, dhe kështu mund të shpjegohet dëshira e tyre për tu martuar edhe pas të 50-ave. “Te gratë do ta shikoja sikur ato kërkojnë më shumë rreth vetes. Mbi 50 vjeç burri, thonë vesh pantoflat dhe këtë gruaja nuk e duron dot. Është ajo pjesa të mendosh që pas 50 vjeç mbaron dëshira nga burri, ndërsa femrat janë shumë më energjike, përgjithësisht. Ndaj edhe gratë martohen, ndahen sepse nuk duan të plaken”-tha Petro.
Ajo tregoi dhe për eksperiencën e saj personale, ku pas përfundimit të martesës së saj të parë po bashkëjeton prej 20 vjetësh me partnerin e saj. Petro tha se bashkëjeton prej 20 vitesh dhe ndjehet shumë mirë, duke shtuar se burrat e kanë më të nevojshme martesën, sidomos pas të 50-ave.
"Kurrë nuk do të rimartohem. Pavarësisht se kam pasur një familje shumë të mirë, unë nuk dua të bëj atë jetë që kanë bërë prindërit e mi. Kam 20 vjet që bashkëjetoj dhe jam shumë mirë. Disa thonë se është enjëjta gjë, por edhe nuk është e njëjta gjë”-tha Petro.
d.c./shqiptarja.com

VIDEO








