Rriten me 5 lekë çmimi i naftës dhe i benzinës me pakicë

Rriten me 5 lekë çmimi i naftës dhe i benzinës me pakicë

Nga dita e djeshme në gjitha pikat e shitjes me pakicë në Shqipëri janë rritur njëherazi, siç ndodh vazhdimisht në vendin tonë, çmimet e karburanteve. Nga 172 lekë për litër që shitej mesatarisht gazoili, tani atë e gjen me 177 lekë. Ndërkohë benzina ka shkuar në 178 lekë për një litër. Kjo pasqyron, në fakt, rritjen graduale të çmimit të hidrokarbureve në të gjitha tregjet botërore nga fillimi i vitit. Tanimë nafta bruto standard amerikane shitet rreth 60 dollarë për fuçi, ndërkohë që në janar të këtij viti kishte arritur të zbriste edhe më poshtë se niveli 45 USD.

Tregu

Në janar të këtij viti, duke ndjekur kursin botëror të çmimeve, në Shqipëri kemi patur çmime 172-173 lekë për litër për karburantin diesel, që kanë qenë në ulje nga niveli 183 lekë për litër, që figuronte në tregun e pakicës deri në tetor 2018. Gjithsesi, çmimet vendase kanë qenë shumë të larta, jo vetëm krahasuar me vendet fqinjë, por edhe me vende me nivel shumë herë më të lartë jetese se Shqipëria. Me 1.37 euro për litër në shitjen me pakicë, Shqipëria rezulton të jetë barazuar me çmimin e dieselit në Serbi, ku është i njejtë me atë në vendin tonë. Më shtrenjtë se tek ne dieseli është në Itali, Norvegji, Francë apo Islandë dhe Angli.

Ndërkohë, shumica e vendeve të rajonit e kanë më të lirë karburantin. Kështu, sipas të njejtave burime, në Mal të Zi është 1.25 euro, në Maqedoninë e Veriut 0.99 euro, në Bosnje 1.18, në Bullgari 1.17 euro, Rumani 1.19 euro, etj.

Vendet evropiane ku paguhet më pak për një litër gazoil janë Rusia (0.64 euro), Bjellorusia (0.64 euro), Ukraina (0.99 euro), etj.

Taksat

Luhatjet në çmimin e shumicës, përveç çmimit me të cilin kuotohet në bursë, vijnë edhe në bazë të kostove të transportit, cilësisë së produktit të zhdoganuar, kursit të këmbimit ndërmjet dollarit dhe lekut. Por kryesorja është një barrë shumë e lartë fiskale shtetërore, që sot fiksohet në rreth 90-100 lekë për litër. Taksat e larta që paguajmë për naftën, të cilat përbëjnë rreth 60% të çmimit, janë arsyeja kryesore për shtrenjtësinë e saj. Në Shqipëri nafta taksohet si vijon: Akciza, 37 lekë për litër; Taksa e qarkullimit, 27 lekë për litër; Taksa e karbonit, 3 lekë për litër. Krahas tyre, vitet e fundit në kosto janë përfshirë dhe tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, nga 1 lekë për litër secila, dhe taksa e rilicensimit të kompanive të shitjes së karburanteve prej 3 lekë/litër. TVSH, që llogaritet mbi totalin e të gjitha këtyre, arrin 30-40 lekë për litër, duke iu shtuar detyrimeve të tjera dhe këto bëjnë që çmimi i naftës në treg të mbetet në një nivel mjaft të lartë, krahasuar me nivelin e jetesës.

Nga ana tjetër, me Vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik nr. 77/2019, datë 7 shkurt 2019, është hapur përfundimisht rruga për kryerjen nga privatët të procesit të kontrollit të matësve të karburantit dhe gazit të lëngshëm nëpër pikat e shpërndarjes së karburanteve. Deri më sot, ky proces kryhet nga një institucion shtetëror, që është Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. Kjo nënkupton kosto shtesë, që duhet të rëndojë sërish në xhepat e konsumatorit fundor. Koncesioni ende nuk ka hyrë në fuqi.

Cilësia

Kryesisht, grosistët e naftës janë marrë vesh gjithnjë për të ulur apo rritur në të njejtin moment çmimet e shitjes. Megjithatë, ndodhin edhe çudira, po të kesh parasysh se në zona të parrahura gjen edhe pika karburanti me emra të panjohur, që përdorin naftë nga grosistë të caktuar, por që mbajnë çmime shumë më të ulta. Llogaritet që në Shqipëri të operojnë rreth 1.400 pika karburanti, ndërkohë që ekspertët gjykojnë se do të mjaftonin 300 si numër optimal për nevojat e vendit. Shumë pika po luajnë me cilësi të ulët, duke shitur diesel 10 ppm deri edhe me 160 lekë për litër, në një kohë kur çmimi i shitjes me pakicë, po të respektohen të gjitha rregullat, nuk mund të shkojë më poshtë se 165-170 lekë. Kjo mund të duket normale në kushtet e konkurrencës, por anormale po të shkohet më poshtë se kostot. Zonat më problematike, të cilat kanë numrin më të lartë të mostrave me tregues jashtë standardit janë Tiranë-Durrës-Elbasan dhe Fier-Vlorë-Berat. Përgjatë kësaj periudhe sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit janë vendosur penalitete sipas viteve 2015, 2016 dhe 2017 përkatësisht: 271, 257 dhe 76 gjoba, të cilat ndjekin trendin e uljes së subjekteve me tregues të mostrave jashtë standardeve të cilësisë, ku arkëtimi i tyre vjen në rritje, megjithëse ngelet problematik arkëtimi vullnetar i vlerës së gjobave. Ndërkohë që në analizën e vet Kontrolli i Lartë i Shtetit konkludon se numri dhe cilësia e inspektimeve është e mangët, pasi vetë Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka mungesa në infrastrukturën e nevojshme (makina, karburant, pajisje kompjuterike dhe internet), si dhe të zyrave rajonale, për kryerjen e inspektimeve fizike dhe atyre on-line.

 

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Alex: 15/03/2019 14:30

    Lullipse nuk e ngre popullin qe u ngrit karburanti po e do vetem per b.. tende te ngrihet ne protest

    Përgjigju
  • Fahrri Bajg Spiuni: 15/03/2019 09:48

    Flaka si paska dalë akoma? As nuk më rr u het hiç të kem makinë, hiç fare nuk ma ndjen. 50 euro litri nuk paska shkuar?

    Përgjigju
    • Fahrri Bajg Spiuni: 15/03/2019 11:51

      Bar do ham e nuk do përulemi biri im!

    • Cuni fariut: 15/03/2019 10:54

      Po ju nrit naftes i nrehet ene specit trongllit patellxhonit ,, per cmimin e kom fjalen

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK