Deri në 6 milion lekë të rinj shtesë parashikon skema e re e shpërblimeve sportive të cilat shtrihen mbi të gjitha kategoritë, që nga ato jo olimpike, olimpike, kampionate botërore, evropiane, mesdhetare dhe ballkanike.
Rritje të ndjeshme ka pësuar thyerja e rekordit olimpik, që nga 15 milionë lekë të rinj është bërë 18. Gjithashtu vendi i parë deri në vendin e 8 në Olimpiadë ka pësuar rritje të ndjeshme. Medalja e artë do të vlerësohet jo më 10 milionë, por 15. Medalja e argjendtë jo më 7, por 13 milionë, ndërsa medalja e bronztë jo më 5, por 10 milionë.
Për kampionatet botërore rritja do të nisë nga vendi i dytë. Fituesi i medaljes së argjendtë do të përfitojë 1 milionë lekë më shumë, ndërsa e njëjta situatë është edhe për medalistin e argjendtë. Rritja në kampionatin botëror vijon deri tek vendi i tetë.

Lajmi i mirë ishte edhe shpërblimi për të gjithë disiplina e të njëjtin sport. Përshembull peshëngritja që protesoi pak muaj më parë nuk do të marrë shpërblim vetëm për dygarëshin, por për të 3 disiplinat e saj. Në shkëputje, shtytje dhe dygarësh.
“Kemi rritje deri në 65% për stile të veçante dhe rritje 100% për rezultatin përfundimtar. Kjo për sporte që kanë stile të veçante, 1 dhe 2 dhe rezultatin përfundimtar. Në total shpërblimi mund të shkojë në rast se del në rezultatet më të larta sipas skemës deri në 230%", tha Blendi Gonxhja.
Me vendimin e fundit, Briken Calja që u shpall kampion evrope në shtytje dhe medalist i argjendtë në dy garësh do të përfitojë 10 milionë lekë, jo 4 sa do të merrte me shpërblimet e miratuara në 2021.
Përveç shpërblimeve për rezultatet, sportistët elitarë do të përfitojnë dhe nga një mbështetje më e madhe financiare për trajtimin ushqimor që shkon në 150 mijë lekë të rinj në muaj
“Rritet me 43% trajtimi ushqimor ditore për sportistët elitarë. Shembull: ishte 3500 lekë mbështetja në ditë dhe shkon në 5000 lekë", vijoi Gonxhja.
Shpërblimet e reja do të konsiderohen në fuqi që prej këtij muaji.










