Kalendari i ri i akcizës për duhanin parashikon rritje të taksimit me 350 lekë cdo vit deri në 2030-ën. Më konkretisht nga 7750 lekë/1000 fije prej 1 janar 2026 do të arrij në 9,541 lekë për 1000 fije në vitin 2030, dhe do të vijojë të rritet deri në 10,275 lekë/1000 fije në vitin 2033.

“Kalendari i ri shërben si parakusht për zbatimin e plotë të kuadrit legjislativ të BE-së, konkretisht, të nivelit minimal të akcizës mbi cigaret prej 90 euro për 1 000 cigare, si dhe harmonizimin e strukturës së taksimit përmes aplikimit të komponentit proporcional. Sipas modelit ekonometrik të përdorur për hartimin e kalendarit, për të përmbushur standardin e BE-së, është propozuar një rritje e akcizës specifike të cigareve me rreth 350 lekë në vit nga viti 2027 deri në vitin 2030, së bashku me aplikimin e komponentit ad valorem, duke filluar me 2% në vitin 2030 dhe duke u rritur me 1% çdo vit deri në vitin 2033”, thuhet në relacion.

Gjithashtu ka tatim edhe për cigareve elektronike por që do të jetë 45.5% më i ulët se ai i produkteve përkatëse me nikotinë.

“Niveli i akcizës për lëngjet e cigareve elektronike dhe produktet vape pa nikotinë, është propozuar të jetë rreth 45.5% më i ulët se ai i produkteve përkatëse me nikotinë. Ky propozim merr në konsideratë peshën që zë niveli më i ulët i akcizës i aplikuar në vendet e BE-së, në nivelin e akcizës po për këtë produkt, por që përmban nikotinë”, thuhet në relacion.

Pjesë e projektligjit është edhe propozimi për taksimin e dieselit të misheluar me një përqindje bio (biodiesel), duke përcaktuar që njësia matëse e taksimit të jetë litër dhe jo kilogram. Për Biodiesel me vajra nafte akciza do të jetë 39.3 lekë/litri nga 38.8 lekë/kg që është aktualisht.

Konkretisht, nga kalendari për produktet e duhanit parashikohet një efekt në të ardhura rreth 2.24 miliardë lekë nga akciza dhe rreth 448 milionë nga TVSH-ja, në total rreth 2.69 miliardë lekë. Nga ndryshimi i taksimit për produktin e akcizës biodiesel me vajra nafte, të kategorisë E460, parashikohet një efekt në të ardhura rreth 1.19 miliardë lekë nga akciza, gjithashtu 239.28 milionë nga TVSH-ja, në total rreth 1.43 miliardë lekë. Efekti total në buxhetin e shtetit për vitin 2027, parashikohet rreth 4.12 miliardë lekë.