Interesimi i grave për të kryer kontrollin e kancerit të gjirit ka sjellë rritje të numrit të mamografive. Poliklinika Qendrore në Tiranë eshtë një nga pikat më të frekuentuara, ku vetëm gjatë 3 ditëve të fundit janë kryer 32 mamografi.
Në të gjithë vendin, që në javën e parë të Tetorit janë kryer 1200 mamografi, aq sa është mesatrja mujore gjatë vitit.
Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit të luftës kundër kancerit të gjirit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për gjatë muajit Tetor ka vendosur turne pasdite dhe në fundjave, duke i dhënë mundësinë më shumë grave të kryejnë kontrollin falas për kancerin e gjirit.
Në të gjithë njësitë ku ofrohet shërbimi i mamografisë gratë mund ta kryejnë mamografinë edhe në oraret e pasdites, deri në orën 18:00, dhe të shtunën deri në orën 14:00.
Përveç 12 mamografëve në spitale, shërbimi ofrohet falas përmes mamografëve të lëvizshëm edhe në zonat e thella.