KOSOVË- Në Kosovë, gjatë 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitiv me koronavirus 398 persona dhe është raportuar 1 viktimë.
Në raport me ditën e djeshme numri i infektimeve është rritur ndjeshëm, pasi dje ishin 292 persona pozitiv me COVID-19, ndërkohë janë raportuar 2 viktima më pak.
Numri i personave të cilët kanë arritur të fitojnë betejën me COVID-19, është 228 gjatë 24 orët e fundit.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 141 raste, Pejë 37 raste, Ferizaj 34 raste, Gjilan 24 raste, Prizren 23 raste, Mitrovicë 20 raste, Gjakovë 19 raste, Fushë-Kosovë 16 raste, Lipjan 10 raste, Podujevë 10 raste, Vushtrri 10 raste, Klinë 9 raste, Istog 8 raste, Obiliq 8 raste, Skenderaj 6 raste, Drenas 4 raste, Kaçanik 4 raste, Malishevë 3 raste, Rahovec 3 raste, Viti 3 raste, Shtime 2 raste dhe me nga një rast komunat Deçan, Dragash, Mamushë dhe Suharekë.
Rasti i vdekjes është nga komuna: Drenas 1 rast (39 vjeç).
Numri total i infektimeve ka shkuar 66.380, ndërkohë që ai i viktimave është 1.572 në të gjithë vendin që nga fillimi i pandemisë, duke përfshirë edhe përditësimet e ditës së sotme.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se vaksinat kundër koronavirusit do të arrijnë në Kosovë gjatë këtij muaji. Ai siguroi se procesi i përgatitjes për ardhje të vaksinave ka përfunduar, që nënkupton planin e imunizimit dhe sigurimin e zinxhirit të ftohjes.
Kohët e fundit në Kosovë është ngritur alarmi pasi në vend janë regjistruar 3 rastet e para pozitive me variantin britanik të COVID-19.
Qeveria në detyrë e Kosovës, pas një shqyrtimi të situatës epidemiologjike në vend vendosi që të lehtësohen masat anti-COVID. Një ndër masat e reja të cilat hynë në fuqi ditën e sotme është heqja e orës policore në ‘zonat e kuqe’ në të gjithë vendin.