Numri i shtetasve të huaj që punojnë në vendin tonë është rritur për vitin 2012, krahasuar me vitet e mëparshme. Ky numër për vitin 2012 është rritur me 60%. Aktualisht në Shqipëri qëndrojnë ligjërisht 7 351 shtetas të huaj, nga të cilët 2 861 janë me motiv punësimi.

Vetëm gjatë vitit 2012 janë pajisur me leje pune nga strukturat tona 2 679 shtetas te huaj, nga të cilët 1 830 për herë të parë. Edhe fluksi i shtetasve të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë për të punuar dhe jetuar vitin e fundit, krahasuar me një vit më parë rezulton të ketë një rritje me 8%.

Sektorët me kërkesat më të shumta janë ndërtimi, pasuar nga tregtia dhe riparim automjetesh, Industria përpunuese, Arsim, etj. Rezulton se 32% e të huajve të punësuar në Shqipëri janë shtetas të BE, shkruan ATSH.

Në vendin tonë, iniciativa për rishikimin e Ligjit ‘Për të Huajt’ ka ardhur si nevojë për përmirësimin e legjislacionit në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE dhe ndryshimet e propozuara vijnë në zbatim të Direktivave Evropiane dhe Konventave Ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

Në përputhje me legjislacionin evropian paraqitet edhe një listë shteruese e rasteve që përjashtohen nga kuotat vjetore të punësimit, ku përfshihen sportistët e huaj, artistët, punonjësit shkencorë, sipërmarrësit e vetëpunësuar, ose kur kanë mbi 51% të aksioneve.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)