Referuar të dhënave më të fundit, të përditësuara në fillim të muajit shkurt, të regjistrit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, numri total i bizneseve pasive në këtë fillim viti rezulton të jetë 112.070. Në fund të muajit gusht të vitit të kaluar numri i këtyre bizneseve ishte 109.099. Sipas legjislacionit në fuqi, bizneset që rezultojnë me status pasiv nuk janë subjekt i dorëzimit të bilancit pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, gjatë dy viteve të fundit po aplikon procedurën për përditësimin e listës së këtyre subjekteve, kjo në sajë të funksionimit edhe të sistemit të ri informatik të Tatimeve. Ky sistem tashmë po nxjerr apo fut automatikisht edhe strukturën e bizneseve që janë “borxhlinj” ndaj Tatimeve, si dhe bizneset e tjera që janë në proces falimenti.
Ky sistem të dhënash nga administrata tatimore synon që krahas uljes së evazionit fiskal, ka për qëllim dhe publikimin e listës, e cila vë në dijeni palët e treta për të mos kryer transaksione (shitje – blerje) me subjekte të cilët janë pjesë e regjistrit pasiv.
d.c./shqiptarja.com










