TIRANË- Ashtu siç kishin paralajmëruar, dhjetëra qytetarë janë mbledhur sërish sot në Tiranë për të protestuar kundër rritjes së çmimeve, të cilat i cilësojnë abuzive. Në dallim nga një ditë më parë, numri i protestuesve është më i pakët.

Në ditën e 5-të të protestës qytetarët vijuan marshimin nga sheshi 'Skënderbej', në drejtim të kryeministrisë. Në lidhje me planin me 7 pika të propozuar nga kryeministri Edi Rama, për Paketën e Rezistencës Sociale, ato u shprehën për Report Tv, se ky është thjeshtë një mashtrim i radhës,

'Plani me 7 pika është vetëm një mashtrim i radhës. Pensionet janë ku nuk thërret qameti. Me planin e qeverisë nuk është shtuar asgjë. Ato 3 mijë lekë që ka dhënë t’i vijë zor.'- u shprehën disa qytetarë.

Pasi mbajtën fjalime para kryeministrisë, ku kërkuan uljen e çmimeve, protestuesit bllokuan rrugën në kryqëzimin e rrugës së ‘Myslym Shyrit’, ndërsa u desh ndërhyrja e policisë që qarkullimi i mjeteve të rifillonte. Ato paralajmëruan se do të zhvillojnë sërish protesta gjatë javës, ndërsa nesër pritet që të mblidhen në orën 17:00.

Protesta u mbajtën edhe në disa qytete të tjera të vendit, në Korçë, Devoll, Gjirokastër dhe Kukës. Ajo që u vu re ishte pjesëmarrja e ulët në protestë në krahasim me ditët e mëparshme, madje në Gjirokastër ishin vetëm 5 qytetarë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:25
Protestuesit në Lushnje flasin me gjuhën e Berishës, s'pranojnë Saimir Korreshin: Larg protestës deputeti i Lul Bravës

1647242213_Screenshot1.jpg

Qytetarët e Lushnjes kanë dalë në protestë kundër rritjes së çmimeve, teksa ato nuk kanë lejuar që pjesë e saj të bëhen deputetët e Partisë Demokratike, madje duke folur edhe me gjuhën e Sali Berishës, teksa e quan deputetin e zonës, Saimir Korreshi, "larg protestës deputeti i Lul Bravës'.   

Ora 13:35
Protestuesit bllokuan për disa minuta qarkullimin te kryqëzimi i Myslym Shyrit

Një numër protestuesish kanë bllokuar për disa minuta rrugën tek kryqëzimi i rrugës së ‘Myslym Shyri’, duke mos lejuar qarkullimin e makinave. Të rinjtë po protestojnë kundër rritjes së çmimeve dhe rritjes së çmimit të naftës. U desh ndërhyrja e policisë që të zhbllokohej qarkullimi i makinave në rrugë.

Ora 12:49
30 minuta dhe më pak protestues se ditët e kaluara, qytetarë marshojnë në pedonalen e qytetit në Korçë kundër rritjes së çmimeve

Me duartrokitje dhe me thirrje për uljen e çmimeve, qytetarët e Korçës kanë marshuar paqësisht në pedonalen e qytetit, kundër rritje së çmimeve. Protesta zgjati për 30 minuta, ndërsa pjesëmarrja ishte më e vogël se në ditët e mëparshme. Qytetarët kanë ngritur zërin, për uljen e çmimit të naftës, produkteve të shportës dhe uljen e taksave.

Ora 12:34
Protestë në Kukës kundër rritjes së çmimeve, marshojnë drejt shëtitores së qytetit

Qytetarët po protestojnë në formë marshimi në shëtitoren kryesore të qytetit të Kukësit, kundër rritjes së çmimeve dhe shtrenjtimit të jetesës. Protestuesit me pankarta në duar kundër rritjes së çmimeve dhe shtrenjtimit të jetesës. Protestuesit kërkojnë ulje e çmimeve, duke kërkuar një qeverisje të përgjegjshme, pasi sipas tyre 30 vjet Kukësi është vjedhur sistematikisht nga çdo politikan.

Ora 12:06
Rritja e çmimeve, në Gjirokastër dalin në protestë vetëm 5 qytetarë (VIDEO)

Gjirokastra i është bashkuar ditën e sotme protestës kombëtare kundër rritjes së çmimeve. Ajo që është vënë re një pjesëmarrje shumë e ulët me vetëm 5 qytetarë.

Ora 11:34
Report Tv sjell pamjet me dron nga protesta në Tiranë

Report Tv sjell pamjet me dron nga protesta e ditës së sotme në Tiranë e qytetarëve, të cilët protestojnë kundër rritjes së çmimeve.

Ora 10:49
Fermerët e Devollit në protestë: Nëse nuk vë dorën qeveria, jemi të falimentuar! Kërkojmë uljen e çmimit të naftës dhe plehrave kimike

KORÇË- Fermerët e Devollit, protestuan ditën e sotme përballë drejtorisë së bujqësisë në hyrje të qytetit. Fermerët po zhvillojnë një protestë paqësore, ndërsa kërkojnë uljen e çmimit të naftës, çmimeve të produkteve të tjera ushqimore si dhe uljen e çmimit të plehrave kimike. Vështirësi sipas fermerëve hasin edhe në mosshitjen e prodhimeve bujqësore, ata paralajmërojnë se do të lenë tokat e tyre djerrë.

‘Nafta është kryesorja, dhe është jetike. Duhet të ndihmojë bujqësinë që të rrijë vërtetë. Neve na fundosi fare qeveria. Nuk po punojmë dot, do ti lejmë arat bosh. Bota i stimulon fermerët që punojnë, pasi është puna më e rëndë.’- u shprehën disa fermerë.

‘Nëse nuk do të ulen plehrat, si pesticidet dhe nafta ne do të jemi të falimentuar. Nëse nuk do të vërë dorën shteti qeveria ne do të falimentojmë.’- u shpreh një fermer.

Protesta sipas fermerëve do të vazhdojë, nëse nuk merren masa nga qeveria. Në terren edhe prezencë të policisë.