TIRANË- Në ditën e tretë radhazi, nga qytete të ndryshme të vendit, qytetarët janë mbledhur në protesta për të kundërshtuar rritjen e çmimeve. Protestuesit u mblodhën në Tiranë përpara kryeministrisë, por edhe në Lezhë, në Durrës, në Berat, në Korçë e në Shkodër.

Situata më e tensionuar u paraqit në Durrës ku qytetarët bllokuan rrugët kryesore të qytetit dhe pati përplasje pasi thyen kordonin e policisë me qëllim për të bllokuar autostradën Tiranë-Durrës. Si pasojë e përplasjes, në Durrës u shoqëruan 20 persona, ndërsa pati shoqërime edhe në Lezhë, Dibër dhe Berat.

Në qytetin e Dibrës, qytetarët bllokuan për një orë qarkullimin në rrugën e Arbrit. Ndërkohë, qytetarët në Tiranë protestuan për mbi tre orë dhe e zhvendosën protestën nga kryeministria te ‘Zogu i zi’. I pranishëm në protestë ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja i cili u përplas me efektivët e policisë, ndërsa iu kërkoi atyre t’i bashkohen protestës.

“Kush mbjell uri, do korrë revoltë. Taksoni Oligarkët, jo qytetarët. Edhe aq besim nuk kam se në rastin e këtyre vendimeve që mund të marrin, mund të shërbejnë si një lojë, gënjejnë sikur po marrin masa ndërkohë oligarkët me të cilët kanë lidhje do vazhdojnë të pasurohen pasurohen, ndërsa qytetarët të varfërohen. Po nuk dolët çmimet nuk kanë për tu ndalur.

Dje sa erdha nga Amerika pashë 2.5 lekë litri i benzinës. Ca do bëjë njerëzimit më parë, do hanë bukë apo do i fusin benzinë makinës. Liria nuk është falas. Lironi shokët e shoqet tona që janë arrestuar padrejtësisht.

Sot në këtë sheh jemi katërfish më parë se ditën e parë kur e nisëm këtë punë. Sot protestojmë për dinjitetin e fermerëve. Sot protestojmë për dinjitetin tonë se kur vjen fundi i muajit ulim kokën poshtë se kemi ca kacidhe në xhep që as frymë nuk e mbajmë dot gjallë”, thanë protestuesit.

Në lidhje me protestën ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, e cili i ka cilësuar një përpjekje të ulët e hijeve të së shkuarës. Rama shkruan se kjo është një tentativë e dorës së "non gratave" të shpallur dhe të pashpallur për të manipuluar njerëzit duke hedhur gurin e fshehur dorën. Sakaq, presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë që të adresojë të gjitha problematikat që shpalosin qytetarët në protesta.

Protestuesit kanë paralajmëruar ditën e nesërme në orën 11:00 protestë kombëtare. Në Tiranë do të mblidhen në sheshin Skëndërbej, ndërsa qytetarët në Durrës kanë paralajmëruar se do vijnë të protestojnë në kryeqytet.

“Nesër protestë kombëtare në orën 11:00 në sheshin Skënderbej”, tha një protestues.

Protesta ka pasur edhe gjatë paradites së sotme ku studentët marshuan sot paradite nga Universiteti Bujqësor deri në sheshin Skëndërbej duke kundërshtuar rritjen e çmimeve. Protestës iu bashkuan edhe studentët në Korçë, ndërsa taksistët protestuan përpara kryeministrisë.

Prej tre ditësh qytetarët janë ngritur në protestë kundër rritjes së çmimit të karburanteve dhe të produkteve të shportës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:35
Protesta/ Meta: Qeveria të adresojë problemet e qytetarëve! Policia të distancohet nga dhuna

1614178277_Screenshot4.jpg

Presidentit të Republikës, Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook, i ka bërë thirrje qeverisë që të adresojë të gjitha problematikat që shpalosin qytetarët në protesta.

Ndërsa një mesazh e ka edhe për policinë, së cilës i tërheq vëmendjen që të distancohet sipas tij nga dhuna.

"I bëj thirrje Qeverisë të dëshmojë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e të gjitha çështjeve që po shqetësojnë me të drejtë qytetarët, të cilët prej ditësh po protestojnë, në mbarë vendin, për dinjitetin dhe të drejtat e tyre thelbësore. Policisë së Shtetit i tërheq vëmendjen për t'u distancuar nga dhuna e papranueshme dhe ndalimet e pajustifikuara", ka shkruar Meta.

Ora 20:13
'Thirri mendjes', Rama i kthen përgjigje komentuesit: Protestat po bëhen nga njerëz që duan sherr, jo populli! Tragjedia e vërtetë po ndodh në Ukrainë, ndërsa ne do t'ia dalim

Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje disa prej qytetarëve që kanë komentuar pas reagimit të tij lidhur me protestat e zhvilluara për rritjen e çmimeve.

"Thirri mendjes se populli nuk është non grata po ka dalë për të drejtat e tyre që të mos fusi dorën askush në xhepin e tyre.", shkruan një komentues.

Rama nga ana tjetër e ka sqaruar se populli është fjalë e madhe dhe se nuk është dhe as nuk përfaqësohet nga grupi i personave që dëshirojnë vetëm sherr dhe dalin nëpër protesta duke mos pranuar faktet.

Sipas kryeministrit njeriut që i preket xhepi nuk duhet të sulmoi qeverinë e cila prej shumë muajsh paguan diferencën gjithnjë e më të madhe mes çmimit real të energjisë dhe asaj në faturën e cdo familjeje.  Ai tha se këtë luftë nuk e nisi Shqipëria, por tani duhet ta përballojmë të bashkuar me dinjitet, sepse tragjedia e vërtet është ajo që po ndodh në Ukrainë dhe jo kjo këtu.

Edi Rama: Populli është fjale e madhe shume, nuk janë as njëmijë as dymije dhe as dhjete mije vete po deshe, te terhequr ne rruge nga njerez pa arsye, te cilet nuk pranojne faktet dhe shajne e bejne thirrje per sherr! Sa per te drejtat ato te siguroj qe i di shume mire dhe i mbroj me te gjitha fuqite, por kur nje lufte prek xhepin njeriu nuk i turret qeverise me te shara, nderkohe qe qeveria paguan prej muajsh diferencen gjithnje e me te madhe mes cmimit real te energjise dhe cmimit ne faturen e cdo familjeje! Kjo eshte e papranueshme dhe prandaj kete s'e ben kurre populli, po manipulatoret e mirenjohur qe hedhin gurin e fshehin doren, duke nxjerre neper rruge fanatiket e tyre per te ndjelle njerez te merzitur e te keqkuptuar me situaten! Kete lufte qe nuk e nisi Shqiperia, nuk e ndalon dot Shqiperia dhe nuk e di askush sa do te vazhdoje, duhet ta perballojme te bashkuar me te vertetat dhe me durim e dinjitet, sepse tragjedia e vertete eshte ajo qe ndodh ne Ukraine, ndersa ne do t'ia dalim edhe kesaj sic ia dolem te tjerave me pare!

 

Ora 20:12
Deputeti i PD përplaset me policinë në protestë! Lefter Gështenja: Sa e ke rrogën ti?

Deputeti i Partisë Demokratike Lefter Gështenja është i pranishëm në protestën ku është bllokuar rrethrrotullimi i 'Zogut të Zi në Tiranë'. Ai është përplasur me policinë.

"Nuk ju vjen zor, ju duhet të jeni me ne, jo kundër nesh. Edhe po të doni nuk e mbron dot këtë", dëgjohet t'i thotë Gështenja policisë.

Ora 19:53
Qytetarët zhvendosin protestën tek ‘Zogu i Zi’, bllokojnë rrethrrotullimin

 

Nga kryeministria qytetarët kanë marshuar në këmbë në sheshin ‘Skëndërbej’ e më pas drejt rrugës së Durrësit. Ata kanë mbërritur në zonën e quajtura ‘Zogu i Zi’, ndërsa kanë bllokuar rreth rrotullimin. Ndërkohë, policia u ka bërë thirrje qytetarëve me megafon të lirojnë rrugën, pais bllokimi i saj është vepër penale. 

Ora 19:02
Protesta në Tiranë, qytetarët zhvendosen nga kryeministria drejt bllokimit të kryqëzimeve

 

Protestuesit në Tiranë janë zhvendosur nga Kryeministria dhe po ecin në drejtim të kryqëzimeve e qëllim për të bllokuar qarkullimin.

Ora 18:58
Protesta në të gjithë vendin për rritjen e çmimeve, Rama: Përpjekje e ulët e hijeve të së shkuarës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me zhvillimin e protestave në disa qytete të vendit për rritjen çmimeve, duke thënë se kjo është një përpjekje e ulët e hijeve të së shkuarës. Rama tha se kjo është një tentativë e dorës së "non gratave" të shpallur dhe të pashpallur për të manipuluar njerëzit duke hedhur gurin e fshehur dorën.

Ai theksoi se ky nuk është populli, por janë sërish ajo pakicë e zhurmshme që kërkon të krijojë rrëmujë.

"Për kë e njeh dorën e nongratave të shpallur e të pashpallur, këto protesta janë një përpjekje e ulet e të të njëjtave hije të së shkuarës, për të manipuluar njerëzit duke hedhur gurin e fshehur dorën! Ky nuk është populli, po e njëjta pakicë e zhurmshme në kërkim të rrëmujës!", shkruan Rama.

 

Ora 18:33
Protesta kundër rritjes së çmimeve, shoqërohen protestues edhe në Lezhë (VIDEO)

 

Përveç shoqërimeve në Durrës, edhe në qytetin e Lezhës ka pasur të shoqëruar. Report Tv ka siguruar pamje nga momenti i shoqërimit të protestuesve.  

Ora 18:13
VIDEO/ Momenti i shoqërimit të protestuesve në Durrës pas përplasjes me policinë

 

20 persona janë shoqëruar nga policia e Durrësit pas përplasjes së tyre me uniformat blu gjatë tentativës për të bllokuar autostradën Tiranë-Durrës. Pamjet tregojnë momentin e arrestimeve, një pjesë e të të cilëve janë të mitur.

Ora 18:10
Protestë edhe në Shkodër, qytetarët bllokojnë rrugët e qytetit

 

Në Shkodër qytetarët kanë dalë në protestë. Ata bëjnë thirrje për uljen e çmimeve ndërsa lanë bllokuar rrugët në qytet. Për një moment ata janë ulur edhe në rrugë me pankarta në duar.

“1 qindarkë më shumë, 1 kafshatë më pak”, shkruhej në pankarta.

Ora 17:52
Protestuesit përplasen me policinë në Durrës, shkojnë drejt bllokimit të autostradës Tiranë-Durrës

Në Durrës qytetarët kanë thyer kordonin e policisë dhe po shkojnë drejt bllokimit autostradën Tiranë-Durrës. Policia ka shoqëruar disa persona.

Ora 17:49
Protesta në Dibër, qytetarët bllokojnë për 1 orë rrugën e Arbrit

 

Protesta kundër rritjes së çmimeve janë shtrirë edhe në Bulqizë të Dibrës. Qytetarët i kanë bërë thirrje efektivëve të policisë t’i bashkohen protestës. Qytetarët kanë bllokuar për një orë rrugën e Arbrit. 

“E respektojmë uniformën, njerëz jeni ju, keni fëmijë në shtëpi ca jetoni ju, 3 mijë lek një l vaj, 100 mijë lek. Ju duhet të bashkoheni me ne. Po bëhet në gjithë Shqipërinë”, tha një protestues.

Ora 17:17
Nis protesta edhe në Durrës, bllokohet rruga tek 'Stacioni i Trenit'

 

Protesta kundër rritjes së çmimeve ka nisur edhe në qytetin e Durrësit. Qytetarët kanë bllokuar rrugën tek Statcioni i Trenit.

Ora 17:13
Protestë në Berat: Nëse nuk plotësojnë kërkesa tona, do të nisemi drejt Tiranës

 

Sot është dita e tretë që qytetet e Shqipërisë, ashtu edhe si në Berat po zhvillohen protestat për rritjen e çmimit të naftës.

Një prej qytetarëve të pranishëm në protestë tha se çmimet janë stratosferike dhe se do të protestojnë derisa kërkesat e tyre të plotësohen

"Nuk kemi parë ndonjë të mirë nga ndonjë krah, nuk do të ishim vendi më i varfër në Europë. Kemi qëllim shoqëror, bashkohemi pa dallim politike. Qëllimi i protestës është rritja ekstreme e çmimit të naftës. I bëjmë thirrje kryeministrit, ministrave, qeverisë të ulin çmimin. Nëse nuk i plotësojnë kërkesat tona, do të nisemi në protestën e madhe në Tiranë.", tha një qytetar.

 

 

 

Ora 17:11
Nis protesta në Lezhë kundër rritjes së çmimeve, qytetarët bllokojnë aksin Lezhë-Shkodër

Protesta kundër rritjes së çmimeve ka pasur edhe në Lezhë në Zadrimë të Lezhës. Banorët bllokuan aksin Lezhë-Shkodër, ndërsa pati edhe shoqërime.