Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka pasur një reagim në rrjetet sociale lidhur me rritjen e çmimit të bulmetit që prej 1 gushtit. Me një postim në 'Facebook', Tabaku u shpreh se qeveria aplikon politika të ngjashme si në kohë lufte ashtu dhe në kohë paqe. Sipas deputetes, do të ishte e përshtatshme heqja e disa taksave që aplikohen në konsum në mënyrë që shqiptarët të kenë më shumë para kuletën e tyre. Tabaku shkruan se qeveria ka mbledhur nga rritja e çmimeve 170 milionë euro më shumë në buxhetin e shtetit nga taksat. Ajo pyet se ku shkojnë këto të ardhura.
'Shqiptarët punojnë për oligarkët/qeveritarët Për shqiptarët çmimi qumështit dhe nënproduktet e tij do të rritet edhe më tej këtë javë. Çmimi qumështit shkon në thuajse 200 lek ndërkohë që priten të rriten nënproduktet e tij. Arsyeja pas kësaj rritje të dytë lidhet me kostot e larta të produkteve të para. Dikush mund të argumentojë se lufta në Ukrainë ka rritur çmimet dhe për rrjedhojë kostot e biznesit. Askush nuk mohon ndikimin e luftës. Por kjo e fundit mbetet alibi derisa qeveria ka mbledhur nga rritja e çmimeve 170 mln euro më shumë në buxhetin e shtetit nga taksat. Ku shkojnë këto të ardhura?!
Në një vend ku 1 ndër 3 shqiptarë nuk e ka të sigurtë vaktin a nuk do ishte një politikë me sens rishpërndarja e të ardhurave që rriten prej inflacionit?! Patjetër që po! Madje më e logjikshme do të ishte heqja e disa taksave që aplikohen në konsum ashtu që shqiptarët të kenë më shumë në kuletën e tyre. Heqja e taksave do qe zgjedhja dhe zgjidhja! Fatkeqësisht jo! Qeveria aplikon politika të ngjashme si në kohë lufte dhe në kohë paqe! Pse?! Sepse me taksat e inflacionuara ajo paguan PPP/Koncesione.
Merrni inceneratorin e Tiranës që do të indeksohet me normën e inflacionit. Pra 30% e shqiptarëve mezi paguajnë bukën e tyre kurse inceneratori Tiranës merr milionat shtesë nga arka e shtetit. A punojnë shqiptarët për oligarkët/qeveritarët që janë kthyer në mish e thua?! Shifrat thonë që po! Njësoj dhe arka e shtetit! Padyshim dhe xhepi shqiptarëve!', shkruan deputetjaTabaku në Facebook.