Teksa çmimi i naftës është rritur sërish, eksperti i ekonomisë Zef Preçi tha se në vendin tonë mungojnë politikat që inkurajojnë prodhimin dhe përpunimin e naftës. Në një intervistë për Report Tv në emisionin ‘Shtypi i ditës dhe ju’ me gazetarin Andi Kapxhiu, Preci u shpreh se rezerva e rëndësishme strategjike të naftës bruto që vendi ynë disponon po shfrytëzohet nga kompanitë e huaja.

Sipas tij, mungesa e politikave të përshtatshme dhe mbështetjes me fonde buxhetore sjell varfërinë e konsumatorit.

“Mungojnë politikat që inkurajojnë prodhimin dhe përpunimin e naftës në vend. Në të njëjtën kohë u fol për riaktivizimin e minierave të qymyrit por praktikisht nuk është bërë asgjë, për më tepër që u tha se mund të eksportohej qymuri për Serbinë apo vende të tjera në rajon. Pa politika të posacme s’mund të ndrysghojë struktura e burimeve të energjisë. Sa kohë që është rritur cmimi për prodhues të energjisë, sa kohë që diskutohet për të taksuar prodhuesit e një niveli të caktuar vendas, praktikisht cmimet janë rritur në linjë dhe në konsumin e brendshëm.

Mungesa e mbështetjeve për këto politika bën që qeveria e kthen në propagandë dhe varfëron konsumatorin. Është e papranueshme që vendi ynë të gjithë sasinë e naftës e eksporton. Në këto kushte do të ishte mirë që të kishte politika. Në kushtet e krijuara, përdorimi i shumës 80 milionë euro për shtresat në nevojë dhe pensionistet është për tu përshëndetur por është shumë larg mundësive të vendit. Por rritja e çmimeve nuk kthehet më në gjendjen fillestare. Dhënia e parave cash s’mund të shmanget nga interpretimi në kontekst elektoral”, tha Preci.

Po ashtu përmendi se duhet të shfrytëzohet rezerva e sigurisë që mbron çmimin, jo të krijohet mekanizëm që sipas tij sjell qindra miliona euro të ardhura pa bërë asnjë veprim qeveria.

“Këto mekanizma nuk janë të kapitalizmit. Krijimi i një mekanizmi të tillë ka krijuar një situatë ku lobistë, biznesmenë, oligarkë janë të vendosur në krahët e qeverisë dhe kanë kontribuar për të shtuar të ardhurat e qeverisë dhe për të varfëruar qytetarët. Nuk ka pasur garantim konkurrence në tregje. Përdorimi i mekanizmave ku shteti fikson çmimin varfëron konsumatorin por nuk lejon kompanitë të nacionalizojnë shpenzimet e tyre dhe të konkurrojnë me terma real. Në vend që të shfrytëzohet rezerva e sigurisë që mbron çmimin, është krijuar ky mekanizëm që ka sjellë qindra milionë euro të ardhura suplementare pa bërë asgjë qeveria”, tha Preçi.

Një ditë më parë, Bordi i Transparencës njoftoi se nafta do të kushtojë 9 lekë më shumë, pra nga 199 lekë që ishte do të shitet me 208 lekë për litër. Rritje ka pësuar edhe çmimi i benzinës. Nga 178 lekë që ishte do të shitet me 189 lekë për litër, e ndërsa gazi mbetet i pandryshuar 71 lekë/litri me pakicë.