Deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të Bordit të Transparencës për rritjen e çmimit të karburanteve. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Salianji akuzon qeverinë se po abuzon dhe janë të vetmit që po përfitojnë nga rritja e çmimeve sëbashku me oligarkët.

Salianji shkruan se shqiptarët paguajnë çmimin më të lartë të hidrokarbureve krahasuar me vendet e rajonit. Deputeti shton se qeveria po lejon edhe naftën kontrabandë, teksa u bën thirrje qytetarëve që të dalin në protestë.

“Qytetarët vazhdojnë të paguajnë çmimin më të lartë të karburanteve në rajon dhe ndër më të shtrenjtët në botë, qeveria të vetmin kujdes ka të mbrojë oligarkët nëpërmjet bordit dhe favorizimeve të tjera si kontrabanda! Nga rritja pa limit e çmimit po pasurohet qeveria, po pasurohen oligarkët dhe po varfërohen përditshëm qytetarët! Kontrabanda e naftës ndërkohë rritet proporcionalisht me rritjen e çmimit, së paku tre herë anijet nga një vend nën embargo si Libia kanë zbarkuar në Shqipëri! Protesto!”, shkruan Salianji.

Ndërkohë, edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për rritjen e çmimit të naftës, duke thënë se Shqipëria është ndër të parat vende në botë që i ka çmimet e hidrokarbureve kaq të larta. Krahasuar edhe me rajonin, Meta shkruan se shqiptarët paguajnë më shtrenjtë për naftën.

Sipas tij, është e rëndësishme që të hiqet taksa mbi karburantin në mënyrë që të lehtësohen sadopak xhepat e qytetarëve. Meta thotë se qeveria vjedh përmes këtyre taksave të larta.

Reagimi i Salianjit dhe Metës vjen pas vendimit të fundit të Bordit të Transparencës një ditë më parë, ku u vendos rritja e çmimit të naftës me 22 lekë për litër. Nafta shitet me 245 lekë për litër nga 223 lekë për litër që ishte. Ndërsa benzina u rrit me 6 lekë për litër, pra nga 198 lekë, shkoi në 204 lekë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:00
Rritja e çmimit të naftës, Meta: Shqipëria me çmimin më të shtrenjtë të naftës, qeveria vjedh përmes taksave

1664545681_1664285814WATERMARKREPORTtv.01150209.Still010.jpg

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për rritjen e çmimit të karburanteve. Meta shkruan se qytetarët shqiptarë paguajnë më shtrenjtë se çdo vend i rajonit për çmimin e naftës. Sipas tij, në vendin tonë shitet më shtrenjtë nafta sepse qeveria vjedh përmëes taksave.

Sipas tij, është e domosdoshme që të hiqet taksa e naftës, në mënyrë që të mbështeten qytetarët në këtë kohë krize, ndërsa ndalet edhe në projket ligjin që ka depozituar në Kuvend Partia e Lirisë për heqjen e taksës së karbonit dhe qarkullimit.

“Qytetarët shqiptarë paguajnë më shtrenjtë se kushdo tjetër në rajon për çmimin e naftës. Nafta në Shqipëri shitet më shtrenjtë, sepse Qeveria vjedh dhe grabit me taksat e larta, duke rënduar dhe varfëruar buxhetet familjare. Në vend që të lehtësonte barrën fiskale, ashtu siç bënë vendet e rajonit dhe të Europës, Qeveria krijoi Bordin, vendimet e të cilit nuk bëjnë gjë tjetër veçse e klasifikojnë Shqipërinë ndër vendet e para në botë për çmimin më të shtrenjtë të naftës. Heqja e taksave në çmimin e naftës në këtë situatë krize globale është një shqetësim real i qytetarëve, për të cilin Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për heqjen e taksës së karbonit dhe qarkullimit që do të lehtësonte ndjeshëm çmimin e naftës”, shkruan Meta.