3 orë protesta paqësore në Tiranë kundër rritjes së çmimit të naftës por edhe produkteve të shportës. Ishim me qindra qytetarët që u mblodhën fillimisht para Kryeministrisë ku mbajnë fjalën e tyre shumë aktivistë dhe qytetarë të thjeshtë që i kërkuan qeverisë që të dëgjojë zërin e tyre dhe të ndërhyjë për të ndalur çmimet abuzuese që po rëndojnë xhepat e të gjithë shqiptarëve.

Pas protestës rreth dy orë para Kryeministrisë, qytetarët iu drejtuan rrugëve të kryeqytetit, ku bllokuan qarkullimin e mjeteve në Unazën e Vogël dhe kryqëzimin e Parku Rinia. Bllokimi i rrugëve ka sjellë një kaos dhe radhë kilometrike makinash dhe autobusësh. Protestuesit i bën thirrje shoferëve për të fikur makinat dhe të bashkoheshin me ta, ndërsa shumë mjete nisën lëvizjen në sens të kundërt të rrugës për të shmangur bllokimin. Është dashur ndërhyrja e policisë që të lironte trafikun dhe të rikthehet situata në normalitet. Pas kësaj qytetarët qëndruan edhe pak minuta te Parku Rinia dhe më pas u shpërndanë. Para se protesta të mbyllej qytetarët thanë se tubimet e tilla do të vijojnë çdo ditë në orën 17:00 në mënyrë që qeveria të ndërgjegjësohet dhe të ulë taksat e karburantit dhe të rrisë kontrollet për abuzimet me çmimet.

Që nga nisja e luftën në Ukrainë, çmim i  naftën në vendin tonë pësoi një rritje alarmante duke shkuar 269 lekë, një rekord historik. Qytetarët kërkojnë heqjen e  taksës së naftës përkohësisht dhe marrjen e masave nga qeveria në këtë kohë deri sa situata të rikthehet ne normalitet, ndërsa kërkojnë që edhe çmimet e shportës duhet të ulën, pasi asnjë rrogë në vend nuk mund t'i përballojë ato.

"Jahti rus 45 lekë naftën duke bërë pushime, unë fermeri e blej me 260 lekë duke punuar tokën time", "Erdhën nga Ballshi i naftës me kuaj" dhe "Uzina e Ballshit sot do mbante vendin ju e shitët për skrap", ishin disa nga pankartat që protestuesit mbanin në duar.

"Po të qe puna mos me shkuar me makinë për të blerë cigaren do e lejmë fare cigaren. Po a na e zgjidh kjo rritjen e çmimit të papërballueshme", tha një qytetar.

“Absolutisht që në këtë vend qytetarët do të duhet të mirëqeverisjen. Në të gjitha rastet do të duhet t’i ushtrojmë presion kësaj zyre.  Duhet ta kuptoni që e vetmja mënyrë për të bërë këtë qeverisje të përgjegjshme është që qytetarët të ndodhen çdo ditë përpara kësaj zyre derisa çmimet të përballohen nga qytetarët. Nëse ka një moment kur shteti duhet ti gjendet qytetarëve është ky. Nuk duhet ta lë në lënie të lirë. Kryeministri pasuron qeverinë e vet. Ndërkohë që ju varfëroheni ai pasurohet, sepse ka çakej që në ditë të errëta duhet të hanë”, tha një qytetar.

“Kush nga ju përballon dot më rritje çmimesh?! Kujt nga ju nuk i ka ardhur në majë të hundës me abuzimet që janë bërë me lekët e shqiptarëve dhe taksave. Ne e dimë se ka krizë, luftë, por ka dhe abuzime. Kemi në çmimin e karburantit, taksat më të larta të rajonit dhe botë. Është koha që qeveria jonë të marrë masa si në të gjithë vendet e botës. 1.300 lekë paguajmë taksa në çdo litër karburant. Rritet çmimi i bukës, jo vetëm karburanti”, tha aktivistja.

Policia shoqëroi mbi 20 protestues për bllokimin e rrugës dhe për tubim pa leje

Ndërkohë edhe në Durrës u protestua para bashkisë, ku me dhjetëra njerëzit fikën makinat në rrugë dhe u mblodhën për të protestuar kundër rritjes së naftës.  Numri i protestuesve në Durrës ishte më i  vogël se në Tiranë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:07
Protesta kundër rritjes së çmimit të naftës, Policia: Bllokuan rrugët, e paligjshme! Në gatishmëri për sigurimin e rendit dhe mbrojtjen e protestuesve paqësorë

1646851452_Screenshot3.jpg

Policia e Shtetit ka reaguar me një njoftim në lidhej me protestën që u zhvillua sot në Toranë, kundër rritjes së çmimit të naftës. Në deklaratë nuk thuhet asgjë për protestuesit e shoqëruar, teksa theksohet se bllokimi i rrugëve ishte një veprim i paligjshëm. Po ashtu Policia njofton se protestuesit kundërshtuan edhe efektivët.

Njoftimi i plotë:

Nisur nga situata e krijuar sot, në disa rrugë, në të cilat pati bllokime të lëvizjes së lirë të automjeteve dhe të qytetarëve, si dhe kundërshtime ndaj punonjësve të Policisë që ishin në detyrë për të siguruar rendin e qetësinë, si dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, bëjmë me dije se:

Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë për sigurimin e rendit dhe të qetësisë dhe në mbrojtje të çdo qytetari i cili proteston në mënyrë paqësore, pa cenuar të drejtat dhe liritë e të tjerëve.

Njëkohësisht, Policia e Shtetit, ashtu sikurse është e angazhuar për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve, është e vendosur të marrë masa ndaj çdo paligjshmërie dhe të procedojë penalisht çdo person që kryen akte në dëm të qytetarëve apo të lëvizjes së lirë të tyre, siç ishte  dhe rasti i sotëm i bllokimit të disa rrugëve.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos përfshihen në akte dhune dhe paligjshmëri, në çfarëdolloj forme të shfaqjes së saj, sepse do të përballen me forcën e ligjit.

 

Ora 22:00
Protesta në Tiranë për rritjen e çmimit të naftës, shoqërohen mbi 20 persona

1646849121_Screenshot3.jpg

Mbi 20 qytetarë, që iu bashkuan sot protestës në Tiranë kundër rritjes së çmimit të naftës janë shoqëruar për bllokimin e rrugës dhe për tubim pa leje. Sipas policisë, protestuesit nuk kishin marrë leje për organizimin e protestës, ndërsa për disa minuta ata bllokuan Bulevardin "Dëshmorët e Kombit".

Ora 19:59
Rritja e çmimeve, Meta: Qeveria asnjë paketë ekonomike në ndihmë të familjeve! Të ndërhyjë urgjentisht

1592829405_META.jpg

Qindra qytetarë janë ngritur në protestë sot në Tiranë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve, teksa Presidenti Ilir Meta ka reaguar duke thënë se Qeveria nuk ka bërë asnjë paketë ekonomike në ndihmë të familjeve. Meta ka kërkuar ndërhyrje urgjente për uljen e çmimit të karburanteve dhe për miratimin e një pakete ekonomike në ndihmë të familjeve në nevojë.

Postimi i plotë i Metës:

Greqia miraton paketën e ndihmës ekonomike 300 - 400 euro për familjet me të ardhura të ulëta.

Maqedonia e Veriut përgatit paketën ekonomike 400 milion euro për zbutjen e krizës së çmimeve, me fokus uljen e çmimit për karburantet, energjinë elektrike dhe ndihmën e familjeve në nevojë. Kosova ndan 50 milion euro subvencione në bujqësi.

Kroacia heq akcizën e naftës.

Shqipëria ZERO paketë ekonomike në ndihmë të familjeve në nevojë, fermerëve dhe bizneseve të vogla dhe ZERO nisma për uljen e çmimeve abuzive të karburanteve, energjisë elektrike dhe mallrave të shportës. Qeveria të ndërhyjë urgjentisht: Për uljen e çmimit të karburanteve; Për miratimin e një pakete ekonomike në ndihmë të familjeve në nevojë. Koha për të dëgjuar zërin e qytetarëve është tani!

Ora 19:19
Protesta në Tiranë, qytetarët bllokojnë rrugët e unazës, kaos dhe radhe kilometrike makinash (FOTO)

Protesta e organizuar nga qytetarët, e cila nisi fillimisht para kryeministrisë tashmë është zhvendosur në rrugët kryesoret të Tiranës. Bllokimi i rrugëve nga qytetarët kanë krijuar radhë kilometrike makinash dhe autobusësh, të cilët janë bllokuar në unazën e vogël.

Protesta vijon në Tiranë prej orës 17:00 ku kërkojnë nga kryeqyteti të ulë taksat e naftës dhe të frenojë rritjen e çmimeve të produkteve të shportës.

Rradhë kilometrike në Unazën e Vogël të Tiranës për shkak të bllokimit të rrugës nga protestuesit
Ora 19:07
Protesta kundër rritjes së çmimeve, qytetarët planifikojmë tubime të përditshme: Të shtunën të mblidhemi nga e gjithë Shqipëria

Qytetarët që ishin në protestë kanë bërë me dije se çdo ditë në orën 17.00 do të dalin të protestojnë para Kryeministrisë, ndërsa shprehen se të shtunën të zhvillohet marshimi i madh ku qytetarët të mblidhen nga e gjithë Shqipwria në orën 11.00

“Sfida jonë është me këtë zyrë, sfida jonë është me përgjegjshmërinë e këtyre. Ky manifastim do të vazhdojë çdo ditë. Ky mikrofon do të qëndrojë këtu që të gjithë qytetarët t’i thonë shqetësimet e tyre kryeministrit. Ne do jemi çdo ditë këtu në orën 17:00. Ne do përgatitemi që të shtunën të presim nga e gjithë Shqipëria. Përditë këtu për të kulmuar të shtunën me marshim nga sheshi Skënderbej deri në kryeministri. Çdo ditë në orën 5 këtu dhe të shtunën në orën 11:00”, tha një nga organizatorët e protestës

Ora 18:36
Rritja e çmimit të naftës, durrsakët fikin makinat në rrugë në shenjë proteste

Rritja e çmimit të naftës, ka bërë që durrsakët të fikin automjetet e tyre në rrugë këtë pasdite, në një protestë simbolike kundër rritjes së menjëhershme, që po u rëndon xhepat.

Të dyja anët e rrugës kryesore në bulevardin “Dyrrah” u bllokuan, ndërsa paralelisht qytetarët protestuan në sheshin “Liria” me pankarta në duar kundër rritjes së çmimeve.

Nuk munguan as forcat policore të cilat u pozicionuan ne sheshin kryesor duke u kërkuar protestuesve të lironin rrugët e qytetit, por që nuk u dëgjuan nga qytetarët që vijonin të protestonin qetësisht.

Protestuesit paralajmëruan se do të përshkallëzojnë daljet e tyre ditën e nesërme duke bllokuar rrugët hyrëse të qytetit të Durrësit.

 

 
Ora 18:22
Qytetarët në protestë kundër rritjes së çmimeve, Kryemadhi: 'Këshillimi Kombëtar' po ndodh tani, dëgjoni zërin e popullit

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar për protestën qytetare të zhvilluar sot para Kryeministrisë ku kërkojnë uljen e çmimit të naftës nga qeveria. Kryemadhi shkruan se "Këshillimi Kombëtar" po ndodh tani dhe se zëri i popullit duhet të dëgjohet.

'Këshillimi Kombëtar' i vërtetë po ndodh tani para Kryeministrisë. Dëgjojeni zërin e popullit, frenoni rritjen e çmimeve, shkruan Kryemadhi.