Rritja e çmimit të ujit të pijshëm me 20 lekë për m3 nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, ka sjellë reagimin e kryetarit të PD, Lulzim Basha. 

Përmes një statusi në Facebook, Basha akuzon PDIU dhe LSI se iu bashkuan pazareve të kryeministrit Edi Rama. 

"Pazareve të Edi Ramës dhe veglave të tij në krye të Bashkisë Tiranë për të dyfishuar çmimin e ujit dhe për të miratuar koncesionet klienteliste të shkollave iu bashkuan dje edhe PDIU dhe LSI.

Është i njëjti grusht politikanësh të kapur dhe të korruptuar që nuk ka asnjë mëshirë për të rrëmbyer çdo qindarkë nga xhepat e qytetarëve. Loja e tyre vazhdon njësoj si më parë, vetëm se tani në role të reja.

PD është e vetmja forcë në krah të njerëzve, por ne jemi të fortë dhe të vendosur për të luftuar për ta. Ne nuk do të ndalemi dhe nuk do të heshtim asnjëherë në mbrojtje të interesave të qytetarëve
", shkruan Basha.​

Një ditë më parë, bashkë me PS në Këshillin Bashkiak, bashkuan votat edhe FRD, PDIU dhe dy këshilltarë të LSI, Genta Mezini dhe Agim Kraja. Projektvendimi u miratua me 31 vota, ndërsa këshilltarët e PD kishin lënë mbledhjen më herët në shenjë proteste. 

Monika Kryemadhi: Dy këshilltarët e LSI-së u blenë
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka reaguar në lidhje me statusin e kreut të Partisë Demokratike, i cili shkruante se këshilltarët e LSI-së “ishin bërë pjesë e pazarit”.

Kryemadhi thotë se dy këshilltarët e LSI të cilët votuan pro rritjes së çmimit të ujit të pijshëm janë blerë. 

“Vendimi i këshilltarëve të LSI për çmimin e ujit dhe ndërtimin e shkollave në Tiranë ishte qëndrimi dinjitoz i një force politike, që jo vetëm bën opozitë, por është rreshtuar haptas në mbrojtje të interesave të qytetarëve”, shkruan Kryemadhi, e cila shton se ishin këshilltarët e Bashës që qëndruan në sallën e mbledhjes së Këshillit Bashkiak për të votuar emrat e tyre për të përfituar nga kreditë e buta.

Gjithashtu Kryemadhi e ka akuzuar Bashën si një bashkëpunëtor të persekutimit dhe pushimit nga puna  të dhjetërave anëtarëve dhe mbështetësve të LSI-së.

Statusi i plotë i Kryemadhit:
Vendimi i këshilltarëve të LSI për çmimin e ujit dhe ndërtimin e shkollave në Tiranë ishte qëndrimi dinjitoz i një force politike, që jo vetëm bën opozitë, por është rreshtuar haptas në mbrojtje të interesave të qytetarëve.

Me keqardhje lexova reagimin e kryetarit të shkrirë të PD dhe me duhet t'i kujtoj së pari paaftësinë e tij për të menaxhuar furnizimin me ujë kur ishte kryetar bashkie dhe i kishte të gjitha mundësite. Së dyti, dua t'i them zotit Basha se këshilltaret e tij dje qëndruan në sallë për të votuar listat me emrat e tyre, që përfitojnë nga kreditë e buta.

Dhe ky është një fakt që nuk mund të fshihet, madje as të manipulojë blerjen që iu bë dy keshilltarëve të LSI, prej të cilëve ne u distancuam. Sepse qendrimi i LSI nuk mund të blihet me asnjë çmim. Sa për qëndrimin opozitar, zoti Basha harron shumë shpejt që ai dhe kryeministri ishin për javë të tëra xhelatët ndaj LSI.

Me mbështetjen e tij dhe të bashkëpunëtorit të tij të afërt Edi Ramës, u persekutuan dhe pushuan nga puna me dhjetëra anetarë dhe mbështetës të LSI. Ndaj të kërkosh sot të bësh opozitë kur ende nuk ke deklaruar qartë se me se u blenë votat e 25 qershorit është thjesht një lojë meskine për të fshehur të vërtetat e mëdha.

LSI është e qartë dhe e vendosur në qëndrimin e saj kundër çdo përpjekje apo akti që dëmton qytetarët shqiptarë, pa asnjë kompromis apo pazar politik që gatuhet në zyrat e kryeministrit. Kështu që, është në nderin e PD të bashkohet me vullnetin tonë ose të mbetet peng i një marrëveshjeje të dyshimtë, shkatërruese e zgjedhjeve dhe e votës së shqiptarëve.

Vasili i përgjigjet Bashës: Po vjell çorbën e 18 majit
Pas akuzave të Lulzim Bashës se LSI u bë pjesë e pazarit të Ramës me rritjen e çmimit të ujit në Tiranë, ka reaguar kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili.

Ish-kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili me anë të një statusi në faqen e tij në “Facebook”, shkruan se Basha po vjell çorbën e prishur të gëlltitur në 18 maj, në firmosjen e marrëveshjes me Edi Ramën.
 
Sipas Vasilit, ishte PD ajo që legjitimoi vendimin e Këshillit Bashkiak, duke marrë pjesë në mbledhje.  
 
Statusi i plotë
"“Marrëveshja e turpit” e 18 majit, Basha-Rama, që shkatërroi zgjedhjet e 25 qershorit, vazhdoi edhe dje në bashkinë e Tiranës.
 
PD tundi dynjanë se gjoja nuk do të shkonte në mbledhje të këshillit bashkiak, ndërsa në realitet shkoi, sepse u shit për kreditë e shtëpive të miqve e klientëve dhe legjitimoi rritjen e çmimit të ujit dhe koncesionit të shkollave.
 
Çorba e gëlltitur në 18 maj nga PD dhe Basha, vazhdon të villet përditë duke dëmtuar rëndë interesat e qytetarëve të thjeshtë, siç u bë bashkëfajtore në blerjen dhe vjedhjen e votës edhe në 25 qershor".


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com