Rritja e çmimit të ujit nga
Bashkia Tiranë, u shkel afati

Veç debateve për rritjen e çmimit të ujit, një tjetër pikë që diskutohet në këtë çështje është edhe transparenca apo procedura e ndjekur në kërkesën e Bashkisë së Tiranës apo vendimit të Këshillit Bashkiak.
 
Sipas ligjit që rregullon tarifat e ujit, e publikuar edhe në faqen zyrtare të Entit Rregullator të Ujit të pijshëm (ERU), ndërmarrjet apo Bashkitë duhet t’i bëjnë kërkesat për ndryshim tarife brenda 30 qershorit të vitit dhe bashkangjitur duhet të ketë bilancet dhe performancën vjetore. Operatorët duhet të organizojnë një Seancë Dëgjimore me Publikun përpara paraqitjes së propozimit për ndryshim tarife tek ERRU. Qëllimi i kësaj seance është që operatori të kontaktojë me konsumatorët duke i informuar ata rreth zhvillimeve kryesore dhe arsyes për aplikimin për ndryshim tarife.
 
Gazetari Bardhi Sejdarasi në një analizë të publikuar në gazetën Shqiptarja.com shkruan se sa i takon nivelit të tarifave të përballueshme nga konsumatorët, Enti në linjë me Metodologjinë “Për Vendosjen e tarifave”, ndjek politikën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që, faturat për marrjen e ujit të pijshëm, të mos kalojnë nivelin prej 5% të të ardhurave të familjeve në nevojë, e vlerëson kërkesën për tarifë nga operatorët duke pasur parasysh këtë politikë.
 
Sipas ligjit, procedura e miratimit të tarifave fillon me përgatitjen e aplikimit për ndryshimin e tarifave nga operatori, i cili duhet të paraqitet brenda datës 30 Qershor të çdo viti. Procesi i miratimit, i cili kalon në disa hapa, fillon kur aplikimi për ndryshimin e tarifave është plotësuar sipas kërkesave të Metodologjisë "Për vendosjen e tarifave". Afati i fundit për miratimin e tarifave nga Komisioni Kombëtar Rregullator është 30 marsi i vitit pasardhës.
 
Tashmë mbetet për t'u parë nëse Bashkia e Tiranës si pronare e UKT të ketë aplikuar para datës 30 qershor të këtij viti dhe të mos e ketë bërë këtë publike. Këtu ka një tjetër shkelje ligjore që i takon UKT, e cila nuk mund të firmosë asnjë aplikim pa bërë më parë dëgjesë publike me të gjithë aktorët e interesuar për shërbimin që ajo ofron.
 
Sipas kontratës ligjore e UKT, në Aneksin, Seksioni II për tarifat dhe Pagesat, NENI 8, parashikohet që:

1. Tarifat e shërbimit te furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura miratohen nga ERRU në bazë të një procesi ligjor dhe transparent. Procedura për vendosjen e tarifave fillon me organizimin e një Seance Dëgjimore me Publikun, propozimin e bërë nga operatori pranë ERRU, dhënien e mendimit nga njësitë e qeverisjes vendore dhe përfundon me miratimin përfundimtar të tarifave nga Komisioni Kombëtar Rregullator i Entit Rregullator të Ujit.
2. Operatorët duhet të organizojnë një Seancë Dëgjimore me Publikun përpara paraqitjes së propozimit për ndryshim tarife tek ERRU. Qëllimi i kësaj seance është që operatori të kontaktojë me konsumatorët duke i informuar ata rreth zhvillimeve kryesore dhe arsyes për aplikimin për ndryshim tarife.
3. Tarifat e miratuara hyjnë në fuqi në datën e përcaktuar në vendimet përkatëse dhe bëhen publike nga ERRU. Operatori duhet të njoftojë Konsumatorin me shkrim dhe nëpërmjet medias të paktën 30 ditë përpara aplikimit te tarifave te ndryshuara.
Nëdërkaq, në aneksin 2 shpjegohen edhe procedurat se si kërkohet ndryshimi i tarifës së ujit të pijshëm.
1. Propozimi për ndryshimin e tarifave plotësohet dhe paraqitet nga operatorët duke respektuar kërkesat dhe afatet kohore të përcaktuara në ligjin Nr. 8102 (i ndryshuar) si dhe në aktet nënligjore të miratuara me vendim të KKRR.
2. Propozimi për ndryshimin e tarifave paraqitet nga operatorët pas përfundimit të Bilancit financiar vjetor. Gjithashtu propozimi për ndryshimin tarife kërkon informacion për të gjitha subvencionet që do të përfitohen për periudhën në vijim.
3. Aplikimet për ndryshimin e tarifave për vitin pasues paraqiten pranë ERRU brenda gjashtëmujorit të parë të vitit aktual. Çdo propozim i paraqitur pasi ka kaluar afati duhet të riparaqitet në vitin e ardhshëm me shifra të përditësuara. Pra ka dy mundësi, ose Bashkia e Tiranës e ka paraqitur kërkesën brenda datës 30 qershor ose kjo kërkesë është nul pas kësaj date.
5. E njëjta proçedurë ndiqet edhe kur ERRU përcakton afat kohor për qartësimin ose plotësimin e informacionit dhe operatori nuk e respekton atë.

Absurdi/Bashkia nis dëgjesën pas rritjes së çmimit
Por duket se procedurën e dëgjesës publike, Bashkia e Tiranës po e bën pasi miratoi çmimin.

Edhe pse ligji e parashikon që seancat dëgjimore duhet bërë para kërkesës për rritjen e çmimit, kërkesë e cila duhej dorëzuar para datës 30 qershor, kjo nuk e ka penguar Bashkinë që të zhvillojë seancë dëgjimore vendimit të Këshillit Bashkiak për rritjen e çmimit.

Veç shkeljes ligjore sa i përketë afatit, këto dëgjesa janë bërë pa njoftuar median dhe pa informacion publik se kush janë grupet e interesit që marrin pjesë.
Pyetja që ngrihet është se nëse këto grupe interesi japin argmente bindëse që çmimi nuk duhet të rritet, atëherë cili do të jetë hapi i radhës, pasi vendimi tashmë është marrë dhe nuk mund të ndryshohet.

Tarifa e ujit në Tiranë, 6 herë më e lartë se sa parimi matës
Llogaritja e tarifimit të ujit kryhet me anë të një metodologjie të mirëpërcaktuar. Kjo formulë së pari duhet që të furnizojë me ujë familjet me të ardhura të pakta. Ky parim është parashikuar nga Enti Rregullator i Ujit (ERU), i cili shpjegon se ky kufi vlen edhe për ndërmarrjet shqiptare  të ujit qoftë ato në pronësi publike apo private.

ERU thotë se tarifa, që familjet me të ardhura të uleta duhet të paguajnë, nuk duhet të jetë më shumë se 5 për qind e të ardhurave mujore, por në Tiranë tarifat aktuale të ujit jo vetëm që kapërcejnë këtë kufi po janë disa herë më të larta.

Tarifa afrofe e ujit në Tiranë për persona që nuk kanë matës në zonën e Komunës së Parisit është 2340 lekë.

Kjo vlerë është sa 15 për qind e pensionit mesatar në Tiranë. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore pensioni mesatar në zonat urbane në vitin 2016 ishte 14,873 lekë. Për rrjedhoje tarifa e faturës afrofe e ujit që duhet të paguajë një pensionist,  që jeton vetëm, është sa 15 për qind e të ardhurave mujore ku parimi që udhëheq vendosjen e tarifave të ujit kërkon që të jetë më pak se 5%.

Gjithashtu fatura afrofe e ujit zë 28 për qind të të ardhurave të një famijle që jeton me ndihmë ekonomike, e cila aktualisht në nivelin maksimal të saj është 8000 lekë në muaj. Përllogaritjet tregojnë se fatura e ujit edhe me çmimet aktuale është më e lartë se aftësitë paguese të familjeve me të ardhura të ulëta.

Sipas relacionit të vendimit të bashkisë për familjet propozohet një rritje çmimi me 44%, nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3. Ndërkohë rritja për bizneset është propozuar 44%, nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3.

Sipas relacionit të Bashkisë, shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e Planit të Biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit UK Tiranës, nga 75% ne 2016, në 97% për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021, dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018, shkruan Monitor.

Rritja e çmimit propozohet në një kohë që Ujësjellës-Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rikuperimit të detyrimeve të prapambetura.

Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë, apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Mars, 08:44

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Pepolit/ Rama merr mandatin e katërt më 11 maj me 50.5% të votave! Berisha me aleatët forcë e dytë, por me rënie! Lapaj renditet i treti

Sondazhi i Pepolit/ Rama merr mandatin e katërt më 11 maj me 50.5% të votave! Berisha me aleatët forcë e dytë, por me rënie! Lapaj renditet i treti