Duke nisur nga ky muaj, pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit do të jenë më të larta. Për inspektorët e thjeshtë, rritet paga me 7500 lekë. Shtesa më e lartë është për nivelin bazë me 15%, ndërsa për nivelin e mesëm rritet me 7%. 

Nga vendimi i qeverisë rezulton se paga për gradën inspektor varion nga 57.500 deri në 62.680 lekë për gradën nënkomisar 70 mijë lekë, për komisarin 77 mijë lekë, kryekomisari 87 mijë lekë ndërsa drejtuesi 99 mijë lekë. Paga më e lartë është për drejtuesin madhor që shkon në 125 mijë lekë. Në listën e publikuar tregohet rroga bazë pa llogaritur vjetërsinë dhe pagesat që bëhen për punën larg banesës.

Kur njoftoi vendimin për rritjen e pagave, kryeministri Edi Rama tha se bëhet për të mbështetur të gjithë ata që janë në krye të detyrës. Pak javë më parë qeveria shqiptare miratoi edhe pagesën si bonus për efektivët që punojnë larg vendbanimeve duke u njohur atyre distancën me punën dhe duke u paguar faturën e transportit.