Nga 1 janari pensionet do të rriten, një rritje e cila është parashikuar edhe në projektbuxhetin e vitit 2026.

Për kreun e partisë ‘Lëvizja Bashkë’ Arlind Qori, rritja është shumë e ulët. I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, ai tha se kjo është tallje me pensionistët, ndërsa theksoi se në vitin 2026 nuk do të ketë bonus për pensionistët.

‘Rama ka hequr dorë nga bonusi i fundvitit. Në janar të 2026 pensionistët do të marrin një rritje të ulët. Bonusin që do të jepte në 2026 nuk do ta jap më. Në 2026 pensionistët do të marrin 300 lekë të reja më shumë në muaj, kjo është rritja sipas asaj që ka deklaruar qeveria. Në 2025 ka qenë edhe vit elektoral dhe ka dhënë dy bonuse, kurse për 2026 nuk do të ketë bonus. Rama thotë do japim kaq në 2026 në 2027 por ne duhet që të diskutojmë buxhetin për 2026, pra s’ka bonus dhe në vend të bonusit ka një rritje modeste të pensionit mujor. Kjo është tallje me pensionistët’, tha ai.

Qori tha se korrupsioni dhe informaliteti në vend janë dy problemet më të mëdha, të cilat sipas tij duhet që të luftohen.

‘Qeveria ka dy dëshira edhe për të vjedhur edhe për të rritur pensionet. Dhe duke qenë se nuk rrit dot pensionet do të rris gënjeshtrat. Duhet që të luftohet korrupsioni dhe të gjitha llojet e shpërdorimit të detyrës. Dhe e dyta ka të bëjë me luftën ndaj informalitetit. 44 % e atyre që punojnë nuk u paguhen sigurimet shoqërore. Për asnjë nga këto qeveria Rama nuk ka zgjidhje. Probleme ka shumë, por problemi kryesor është kapja e shteti nga oligarkia që çon edhe në korrupsionin e zyrtarëve të lartë të shtetit’, tha ai.