Nga 1 janari 2026 pensionet për të gjithë qytetarët do të rriten. Shtesë do të përfitojnë pensionet e pleqërisë, të invaliditetin dhe ato familjare.

Pas këtij vendimi të bërë me dije nga Edi Rama, ish-presidenti, Ilir Meta përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se kryeministri para këtij premtimi duhet t’u kthejë pensionistëve atë që u takon me të drejtë: çdo pensionisti në qytet 1164 euro në vit dhe çdo pensionisti në fshat 482 euro në vit.

Më tej Meta nënvizon se këto janë paratë që Qeveria ua ka mbajtur pensionistëve çdo vit për shkak të mosindeksimit të plotë të pensioneve në raport me inflacionin real të produkteve ushqimore.

Postimi i plotë:

"Tunelet" dhe aferat e korrupsionit që kanë shpërthyer prej kohësh po e detyrojnë Kryeministrin të “kthejë sytë” nga pensionistët.

Por, përpara se të premtojë rritje pensionesh, Edi Rama duhet t’u kthejë pensionistëve atë që u takon me të drejtë: çdo pensionisti në qytet 1164 euro në vit dhe çdo pensionisti në fshat 482 euro në vit.

Këto janë paratë që Qeveria ua ka mbajtur pensionistëve çdo vit për shkak të mosindeksimit të plotë të pensioneve, në raport me inflacionin real të produkteve ushqimore dhe mungesën e rritjes së merituar nga zhvillimi ekonomik i vendit.

Në vend që të shkonin tek ata që kanë punuar gjithë jetën dhe aq shumë kanë sakrifikuar për ndërtimin e vendit, këto para janë derdhur në “korrupsionin gjeopolitik”, në projekte dhe afera që nuk kanë asgjë të përbashkët me mirëqenien e qytetarëve të thjeshtë, veçanërisht të pensionistëve.

Parashikohet që deri në vitin 2029 pensioni mesatar urban, për ata me vite të plota pune, do të shkojë në 40,000 lekë ose 400 euro, nga 27,350 lekë që është aktualisht.

Pensioni urban i pjesshëm do të arrijë në 22,000 lekë, nga 15,850 lekë që është sot, pra një shtesë prej më shumë se 6 mijë lekësh.

Pensioni rural do të shkojë në 18,000 lekë nga 11,500 lekë aktuale. Pensioni familjar do të rritet nga 11,400 lekë në 18,000 lekë, ndërsa pensioni i invaliditetit, që sot është 20,000 lekë, do të shkojë në 30,000 lekë.