TIRANE - Nxënës të shkollave të ndryshme, mësues dhe qytetarë, po zhvillojnë gjatë këtyre ditëve, vizitaë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe në strukturat vendore të policisë, në kuadër të "Javës së Vizitorëve të Policisë", e cila do të përmbyllet të premten, më 31 Tetor.
Në një njoftim për shtyp DPP, bën të ditur se, te enjten, dy grupe nxënësish nga shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e qytetit Tiranë, vizituan ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ku patën mundësi të shohin nga afër ambientet e punës, si dhe zhvilluan takime me drejtues dhe specialistë të policisë.
Gjatë bisedave me specialistët e Policisë Rrugore, Policisë së Rendit, të Sallës së Komandimit, si dhe të strukturave të Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të miturve, nxënësit u njohën jo vetëm me punën e këtyre strukturave, por dhe me kujdesin që duhet treguar në mënyrë që të mos bien pre e drogës, alkoolit etj, ndërsa vën të rëndësishëm në diskutimet e përbashkëta zuri edhe rëndësia e zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor dhe bashkëpunimit me policinë për rritjen e sigurisë.
Java e vizitorëve të policisë zhvillohet, çdo vit në javën e fundit të Tetorit, me qëllim për të krijuar një klimë sa më të ngushtë bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe komunitetit, në kuadër të zbatimit të filozofisë së policimit në komunitet, ku policia dhe komuniteti bashkëpunojnë për rritjen e nivelit të sigurisë. /ATSH/