"Edhe 13 vite pas luftës në Kosovë, gratë e dhunuara gjatë luftës ende nuk kanë marrë drejtësinë e merituar dhe ndërkohë presin mbështetje nga institucionet qeveritare dhe shoqëria civile në Kosovë".
Me 8 Mars Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) do të vazhdojë traditën duke organizuar protestë, kësaj radhe me moton: “Nuk duam lule por duam drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës”. Përmes kësaj proteste ato kërkojnë mbrojtje ligjore për gratë e dhunuara nga serbët gjatë luftës në Kosovë.
Protesta do të fillojë nga ora 12:00 para Teatrit Kombëtar më 8 Mars 2012 në Prishtinë.
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës është rrjet udhëheqës avokimi i më shumë se 80 organizatave joqeveritare të grave nga e gjithë Kosova dhe nga të gjitha grupet etnike. RrGGK mbështet, mbron dhe promovon të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave të reja në gjithë Kosovën, pavarësisht nga religjioni, besimi politik, mosha, niveli i edukimit, orientimi seksual, dhe aftësitë e tyre. RrGGK e realizon këtë mision përmes shkëmbimit të informatave dhe përvojës, bashkëpunimit dhe rrjetëzimit, hulumtimeve, avokimit dhe shërbimeve të tjera./rg/shqiptarja.com/
