PRISHTINË - Rrjeti i Grave të Kosovës i është drejtuar me anë të një letre kryeministrit Isa Mustafa, duke i kërkuar shkarkimin e ministrit Aleksandër Jabllanoviq.
Sipas KosovaPress, në protestat e organizuara me datë 24 dhe 27 janar me moton "Jabllanoviç Jashtë-Trepça është e jona", mori pjesë edhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK).
RrGGK vazhdon të përkrahë qytetarët e Kovovës, të cilët duke shfrytëzuar të drejtën e tyre, të garantuar me ligj, shprehin pakënaqësitë e tyre nëpërmjet protestimit.
Gjithashtu, RrGGK dënon dhunën e shfaqur në këto protesta.
Në letrën e tyre, RrGGK i kërkon Kryeministrit të Republikës së Kosovës, që të shkarkojë menjëherë ministrin Jabllanoviq nga çdo pozitë zyrtare në Republikën e Kosovës, jo vetëm për mosnjohjen e Kosovës si shtet, por për shkak të ofendimeve drejtuar nënave kosovare, të cilat ende nuk dinë gjë për fatin e familjarëve të tyre, të zhdukur gjatë luftës./ATSH/