Kryeprokuroi Adriatik Llalla ka urdhëruar sot disa ndryshime në nivel drejtuesish në rradhët e prokurorisë. Ndërkohë, burime zyrtare pranë prokurorisë bëjnë me dije se po shqyrtohen mundësitë e ndryshimeve të tjera.Sipas tij lëvizjet bëhet me qëllim rritjen e cilësisë së hetimeve.

Llalla urdhëroi që Drejtoria Gjyqësore dhe e Ekzekutimeve të Dënimeve Penale shkrihet dhe stafi i saj integrohet në Drejtorinë e Hetimit dhe Ndjekjes Penale. Drejtoria e riformatuar do të vijojë të drejtohet nga Adnan Xholi dhe tashmë do të përbëhet nga 6 prokurorë.

Arben Dollapaj nga drejtues prokurorie kalon prokuror i thjeshtë.Rokada në Prokurorinë e Përgjithshme prek edhe drejtorin e sektorit gjyqësor Arben Dollapaj

Kleanthi Zeka, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Apelit Vlorë, komandohet drejtues i saj, duke zëvendësuar drejtuesin e deritanishëm, Henrik Haxhirajn, i cili do të jetë prokuror i thjeshtë në Apelin e Vlorës.

Besim Hajdarmataj, aktualisht zv.drejtues në Prokurorinë për Krime të Rënda komandohet drejtues në këtë strukturë, duke zëvendësuar Blerim Tominajn, i cili do të vijojë të ushtrojë funksionet pranë kësaj prokurorie.

Zeqir Hoda, aktualisht drejtues në Prokurorinë e Kurbinit, komandohet drejtues në Prokurorinë e Lezhës, duke zëvendësuar Përparim Vukajn, i cili do të vijojë të ushtrojë funksionet pranë asaj prokurorie.

Hysni Vata, aktualisht prokuror në Dibër, komandohet drejtues i Prokurorisë së Kurbinit, duke zëvendësuar Zeqir Hodajn, i cili është komanduar në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës.

Arjan Muçaj, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjrokastër, komandohet drejtues në Prokurorinë e Rrethit Përmet, duke zëvendësuar Silvana Panin, e cila vijon në detyrën e prokurorit të thjeshtë në atë prokurori.

Artur Ismailukaj, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tropojë, komandohet drejtues në këtë Prokurori, duke zëvendësuar Artan Shtrungzën, i cili vijon në detyrën e prokurorit të thjeshtë në atë njësi strukturore.

Urim Buci, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, komandohet drejtues në këtë Prokurori, duke zëvendësuar Esmeralda Camin, e cila vijon në detyrën e prokurorit të thjeshtë në atë njësi strukturore.

Në Prokurorinë e Korçës komandohet zv.drejtues prokurore Dhorina Theodhori, e cila zëvendëson në këtë detyrë prokuroren Ollga Visi.

Në Prokurorinë e Vlorës komandohet zv.drejtues prokurore Flora Çela, e cila zëvendëson në këtë detyrë prokurorin Alfred Saliu.

Në Prokurorinë e Elbasanit largohen nga funksioni i zv.drejtuesit dy prokurorët, Alfred Shehu dhe Ridvan Suka. Gjithashtu, shkurtohet një pozicion zv.drejtuesi, duke u reduktuar në një post, në të cilin komandohet prokurorja Enkelejda Millonai.

Këto ndryshime vijnë në përfundim të analizave vjetore të vitit 2015. Burime zyrtare bëjnë me dije se po shqyrtohen mundësitë e ndryshimeve të tjera, me synim përmirësimin e mëtejshëm të aktivitetit institucional.