TIRANE- Me 10.000 euro, organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar “Butrinti 2000” kanë mundur të sjellin vetëm 5 shfaqje në skenën e Butrintit. Qendra Kombëtare e Teatrit Mesdhetar, ka shpallur tashmë programin e festivalit të Butrintit që do të mbahet nga datat 18-23 korrik 2015.

Në teatrin antik të Butrintit, festivali me një traditë 15-vjeçare ka pasur sukseset dhe mossukseset e tij, dhe gjatë dy vjetëve edhe ka dështuar me gjithsej për shkak të mosdhënies së fondeve nga Ministria e Kulturës, ku festivali u ndërpre në vitet 2012 dhe 2013. Rikthehet me disa shfaqje modeste në vitin 2014. Duke parë edhe programin e këtij viti vihet re se dy vitet e fundit, po vijnë duke u rrudhur dimesionet e këtij festivali, për sa i përket gjeografisë së pjesëmarrrjes dhe numrit të premierave.