Tarifa për Rrugën e Kombit, Gjiknuri në Report Tv: Transporti publik do të jetë falas

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ishte i ftuar në emisionin ‘Repolitix’ të drejtuar nga Denis Minga në Report Tv për të hedhur më shumë dritë mbi negociatat që po zhvillon mes qeverisë dhe koncesionarit për tarifën e Rrugës së Kombit.

Ministri deklaroi se për banorët e zonës dhe qytetarët që do të përdorin transportin publik (autobusë të licencuar) nuk do të ketë asnjë tarifë, ndërsa për ata që do të lëviznin me mjete private do të ketë një tarifë, e cila nuk është vendosur, pasi po negociohet.

Përsa i përket qytetarëve të tjerë shqiptarë që do të përdorin rrugën, por edhe shqiptarëve të Kosovës dhe vendeve të tjera nuk do të ketë asnjë ndryshim, pra do të paguajë 5 euro. E ndërsa i cilësoi protestat të nxitura nga opozita, ministri deklaroi se ende nuk është vendosur nëse do të ketë rrugë të tjera që do të jepen me koncesion.

Për banorët e Kukësit që përdorin transportin publik nuk do të preken nga tarifat. Për banorët me mjete private do të ketë tarifë të reduktuar të arsyeshme. Për qytetarët e tjera shqiptarë, shqiptarët e Kosovës dhe qytetarët e vendeve të tjera nuk do të ndryshojë tarifa, 5 euro. Jemi në negociata me kompaninë dhe banorët e Kukësit dhe para verës do të vendoset në fuqi tarifa.  Tarifa nuk do të ndikojë në uljen e pushuesve nga Kosova.

Damian Gjiknuri

Një tjetër rrugë që është kthyer në qendër të debateve të politikës është ajo Tiranë-Elbasan, që vijon që të marrë fonde, por ende nuk ka përfunduar. Gjiknuri u shpreh se për rrugën duhet edhe 18 milionë euro, ndërsa objektivi është që të përfundojë në muajin shtator të këtij viti.

Duhen edhe 18 milionë euro për përfundimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Objektivi është që të mbarojë në shtator.

Damian Gjiknuri


Intervista në REPORT TV

Si po negocion qeveria për Rrugën e Kombit?
Qeveria do e marrë parasysh pjesën e komuniteteve në Kukës, Tropojë dhe Has. Jemi duke diskutuar që të ndryshohet kontrata për të adresuar disa shqetësime. Një pjesë u manipulua politikisht, por pas një shqetësimi popullor, qeveria do e trajtojë. Jemi duke diskutuar, një ekipi ndodhet në Kukës, ku po zhvillon takime me palë të interesuara për të mbledhur opinione për sektorë që mund të preken dhe bashkë me koncesionarin do të bëjmë ndryshimet e duhura. Ajo rrugë kalon në zonën më të varfër të vendit, por është me koston më të lartë dhe akoma nuk ka mbaruar. Por lidh edhe Kosovën dhe këto elementë do të trajtohen bashkë për të gjetur një zgjidhje të arsyeshme, pasi koncesioni është i domosdoshëm, për mirëmbajtjen, por për komunitetet për një periudhë kohe.

Ka kaluar në parlament?
Jo, pasi kontratat mbi 35 vite kalojnë në parlament

Do të kalojë në qeveri?
Po patjetër

Për banorët tarifa do të jetë zero?
Nuk e kemi thënë dhe nuk ka kuptim, por meqenëse se Kukësi ka këto veçori, mund të ishte parë edhe më parë, por ishte pranuar edhe në kontratë për përdoruesit e shpeshtë.

Mund të ishte testuar?
Mbase mund të ishte menduar më parë. Por qëllimi i qeverisë ka qenë pozitiv në funksion të qytetarëve që ky aset të mirëmbahej. Është cështje e administrimit, pasi është hera e parë. Kjo nuk është taksë, por tarifë, kjo është një strategjie që e ka edhe BE. U përdor nga politika, u ekzagjerua. Programi i sensibilizimit duhet të ishte bërë para një viti kur u bë kontrata. Nuk distancohemi nga kjo kontratë, por proceset e menaxhimit duhet të kishin filluar me kohë. Kontrata u firmos në nëntor të 2016, 2017 ka qenë një vit tranzicioni.

Ka hyrë në fuqi në 2017?
Në 2016

Pra për 2017 është paguar nga buxheti i shtetit?
Ka bërë disa ndërhyrje, janë investuar mbi 15 mln euro

E keni monitoruar?
Po, ka një inxhinier të pavarur, këto janë shifra zyrtare

Ju thoni për dëm disa milionë euro, i referoheni dëmit nga protesta apo tjetër?
Akoma nuk ka përfunduar, por për rrjetin e menaxhimit të tarifës, është një rrjet i gjithë në tokë, plus pajisje të tjera që janë djegur. Po bëhet një vlerësim i dëmit.

Mbi një milion euro?
Po, mbase 2 mln euro. Por ka një vlerësim që po bëhet dhe do të miratohet nga palët. Ngjarja është fiksuar, direkt mbas mbarimit të ngjarjes kemi cuar një ekip të ministrisë dhe koncesionarit ku janë bërë procesverbalet për dëmtimet.

Pse zgjodhët këtë rrugë si eksperiencë të parë?
Ka qenë strategji e miratuar me kohë. Ka pasur një konsulent i paguar nga qeveria dhe BERZH për strategjinë e menaxhimit të rrugëve dhe ai ka vendosur një listë të rrugëve. Ky proces ka filluar që në 2011, pra jo nga qeveria e PS, nuk dua të shfajësohem, pasi kjo është e vetmja mënyrë. Qeveria Berisha zgjodhi 8.5-9 euro taksim për rrugën, por dështoi. Edhe qeveria Rama filloi përsëri këtë, u zgjodh një variant pak më i shtrenjtë se sot, edhe ai dështoi dhe në tentativën e tretë u arrit marrëveshja me 5 euro me TVSH brenda.

Rruga e Arbrit, a shkon në drejtim të kundër të asaj që thoni?
Paketa 1 mld dollarë nuk e rrit borxhin, e kemi studiuar mirë. Është një përgjegjësi që shtrihet në kohë. Të gjitha shpenzimet që do të bëhen do të rrisin ekonominë. Ka një marak nga FMN, që është normale, por kur do ta bëjmë këtë infrastrukturë?

Ngjarja e Kalimashit tregon se transparenca është e domosdoshme?
Qeveria është transparente. Këtu ka munduar sensibilizimi. Ka pasur jnë mungesë strategjie për të adresuar disa probleme në kohë. Cdo njeri nxjerr mësime në jetë, jo më qeveria.

Cfarë lëshimesh do të bëhen për kuksinanët?
Po evidentojmë sa mjete janë, kush janë me licencë për transportin publik. Për transportin publik kemi arritur në konkluzionin që nuk do të afektohet. Transporti publik nuk do të afektohet. Do të bëhet një formulë që nuk ka asnjë impkat te bileta e qytetarit. Për mjetet e tjera po shikojmë masën e reduktimit. Ne synojmë një tarifë të arsyeshme që nuk vendos në pikëpyetje koncesionin dhe nuk shkakton barrë për buxhetin.

Këtë mungesë do e kompensoni nga buxheti?
Do të shikohet edhe mundësia e kompensimit. Që të bësh një përjashtim, një pjesë tjetër do e mbulojë. Ai që përdor makinë dhe akse të caktuara më shpesh, logjika ekonomike është që paguan, një që nuk ka makinë pse do të paguajë? Ne kemi detyrime deri 400 mln euro në vit.

Rrugët mund të jenë një gropë e zezë në buxhet?
Po në të gjithë botën është. Kur ka probleme në SHBA, apo Itali. Pse i kanë bërë me tarifë? Se nuk i mbajën dot.

Mund të ishte një zgjidhje tarifa mujore?
A do të ishte e ndershme për ty që nuk e përdor? Nuk është rekomanduar për Shqipërinë.

Po nëse ngrihen në protestë?
Nëse ecën shteti kështu, që nuk duhet të marrë asnjë masë se grupime të caktuara ngrihen, atëherë kështu nuk mund të ecet, vendi bëhet i paqeverisshëm. Janë bërë sondazhe në të gjithë segmentin e rrugës Durrës-Kukës dhe 90% kanë thënë se jemi gati të paguajmë që ky aset të mirëmbahet. Por nuk mendoj se ndonjë njeri është kundër pagesave. Kukësi është zonë e izoluar dhe me të ardhura të ulëta dhe nuk ka shumë mundësi për komunikim alternativ, psh si Tiranë-Durrës apo ultësira perëndimore. Qeveria reagoi pas precipitimit të ngjarjeve.

Por për ne që nuk e përdorim shpesh këtë rrugë sa do të paguajmë, 5 euro?
Do të vijojnë që të paguajnë, kjo shifër nuk do të ndryshojë për përdoruesit e tjerë të rrugës. Vetëm kjo rrugë merr 20% të buxhetit për rrugët për mirëmbajtje.

Sa kohë do të zgjasin negociatat?
Besoj para verës do e kemi mbyllur këtë proces

Por opozita....
Opozita synonte destabilitetin dhe përmbysjen e qeverisë, apo krijimit të imazhit që Shqipëria është në një krizë politike dhe nuk meriton negociatat. Pas Kukësit kaluan te biznesi i vogël më pas do kalojnë te energjia. Por kur qeveria filloi dialogun kaloi në cështjet e tjera. Opozita ka një objektiv si të rrëzohet Rama dhe të pengojnë integrimin.

Por taksa mund të ulë turistët nga Kosova?
Protesta ka pasur edhe në vende të tjera, por nuk ka pasur rënie të fluksit. Një njeri vjen me pushime me makinë që zgjedh Shqipërinë dhe harxhon 1000 euro dhe ti mendon se do të ndryshojë destinacion për 10 euro? Nuk mendoj se do të ndikojë. Ku do të shkojë për pushime? Në Bullgari, Rumani apo ku, se edhe andej do të paguajë?

Keni komunikuar me homologun tuaj të Kosovës?
Me ministrin e Kosovës kam pasur më parë diskutime dhe asnjëherë nuk është ngritur si shqetësim. Reagoi për shkak të politikave të lokale. Ministri i Kosovës e ka numrin tim të telefonit, por nuk më ka telefonuar. Kam planifikuar një takim për të diskutuar për shqetësimet. Por edhe Kosova do të vendosë sistemin e tarifimit.

Brace ka kërkuar hetim për rrugën deri në fund...
Kjo cështje u hetua dhe u pengua në mënyrë tinëzare.

Nuk ka nevojë të rihapet?
Mund të rihapet, mjafton të ketë vullnet nga institucionet e drejtësisë

Rruga Tiranë-Elbasan kur do të përfundojë?
Duhen edhe 18 milionë euro për përfundimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Objektivi është që të mbarojë në shtator.

Po rruga Tiranë-Durrës?
Nuk është ndërtuar mirë dhe është prishur. Projekti ka përfunduar për ndërhyrjen në autostradë dhe këtë vit do të fillojmë ndërhyrjen.

Është përcaktuar edhe kompania?
Është e përzgjedhur, pasi bën mirëmbajtjen. Kushton mbi 11 milionë euro. Punimet do të fillojnë këtë vit dhe do të vijojë. Do të ketë shqetësime, por këto janë punime të nevojshme, një pjesë e rrugës do të bllokohet. Ndërhyrja duhet bërë kur nuk ka reshje. Këtë vit ka pasur më shuam reshje që kanë dëmtuar rrugët.

Pse rruga alternative, nuk vihet dorë?
Po do nja 20 milionë të tjera. Ne pak mundësi buxhetore kemi.

Çfarë po bëhet me By pass e Fierit?
By pass Fierit është në procedurën e tenderimit, më pas do të zgjidhet kontraktori edhe këtë verë nuk do të ketë, shpresoj të fillojnë punimet, vitin tjetër shpresoj që të përfundojë.

Po aksi Kardhiq-Delvinë apo të tjera, janë në letër apo?
Janë në letër, sivjet do të tenderohen. Brenda këtij mandati do të jetë funksionale. Ne do ta përfundojmë të gjitha korridoret këtë 4-vjeçar. Veriu me qendrën të jetë me rrugë të përfunduara dhe pjesa e Sarandës të afrohet me pjesën tjetër. Edhe rruga në Qafë Pllocë do të kërkojë edhe nja 50 milionë euro, pasi janë projekte të përzgjedhura keq.

Këtë vit nuk do të tarifoni asnjë rrugë tjetër?
Nëse do të ketë zgjerime dhe përmirësime të rrugës do të shikohet mundësia e tarifimit.

Nafta, sa para fiton Shqipëria në vit?
Kam luftuar të pastroj parazitët nga fushat e naftës. Për kompanitë që kanë performuar, por nuk kanë dhënë kontribut në buxhet si duhet kemi pasur përplasje. Me SHELL që është e vështirë të negociosh, është multimiliardere dhe përfitojmë më shumë se me kontratat e tjera, 17%. Duhet të rishikohet i gjithë modeli i kontratave. Ne pamje të parë duket se dalim me fitim me kontratat, por nuk del asnjëherë me fitim.

Por këtë kompani në bursat e huaja dalin me fitim, po këtu?
Por kapacitetet tona këto janë, nuk është vetëm te nafta këto, por kompanitë e tjera sa paguajnë. Energjetika është kontribuuesi më i madh në buxhet. Mënyra më e mirë është modeli i thjeshtë, merr një % të caktuar rente dhe caktoje si cdo biznes tjetër. Unë e kam hedh këtë ide dhe kam mbështetjen në qeveri, që të shkojmë drejt një rimodelimi tjetër. SHELL deri tani ka harxhuar deri në 300 mln dollarë, mund të mos gjejmë edhe naftë, por asnjë biznes tjetër nuk e ka këtë risk dhe janë kontrata të vështira.

A e keni ngritur si cështje atë që është në detin ton në kufi me Greqinë?
Do e bëjmë për pjesën tonë, për pjesën e bregdetit jonian, nuk ka të bëjë me kufirin. Nuk do të bëhet në pjesën e diskutueshme me Greqinë.

Cfarë po ndodh me ARMO-n?
ARMO  ka mbetur një koncept juridik në letër, zotërohet nga një bankës Credins, shteti nuk ka asnjë rol, është një investim privat. Roli i qeverisë ka qenë ndërmjetësues për investitorët për sigurimin e naftës nga prodhuesit apo adresimin e disa cëshstjeve, por nuk ka rol direkt, sikur të mbyllej KURUM apo një minierë në Bulqizë. Kaq rol ka shteti, a kanë më shumë rol

Pati protestë?
Dhe ne u kemi thënë së pari u trajtojmë me përparësi për statusin. U kemi dhënë prioritet, pjesa tjetër që intereson, ne të kemi mundësi që të negociojmë që këta punonjës të shikohen me përparësi. Te ARMO në letër shteti ka 15%, por nuk ka më asgjë.

Po për OSHEE?
Nuk mund të krahasohet me qeverinë Berisha.  Të dhënat e OSHEE janë shumë herë më të përmirësuara. Humbjet janë në nivelet më të ulëta nën 27%, nuk kanë qenë ndonjëherë në këto nivele. Në kohën e Berishës në 2009 humbjet ishin 34%.

Do të ketë rritje të çmimit të enegjisë?
Çmimi për konsumatorët nuk do të rritet, brenda tarifave të miratuara të menaxhojmë një sektor shumë të vështirë. Mund të kemi një privatizim jo më shumë se 25% të OSHEE, pasi ka nevojë për kapital për investime. Nuk është se e ndava, por po mendojmë për një paketë me investitorët strategjikë.

Për biznesin do të ketë rritje të çmimit?
Biznesi do të shkojë drejt liberalizimit, sikur janë cmimet në bursë do të jetë tarifa e energjisë. Shteti ka infrastrukturën, pastaj malli shpërndahet kudo, si rruga, hekurudha, porti, etj!

Po Kalivaçi?
Kalivaçi është një proces që ka përfunduar, ka përfunduar negociomi i kontratës me një grupim turk dhe shumë shpejt do të vijojë zbatimi i kësaj kontrate dhe brenda një viti të fillojë. Mbi Kalivacin nuk do të ketë HEC-e.

Por i hapët portat në Vaun e Dejës?
Kontribuuan në mirëmenaxhimin e përmbytjeve. Shteti nuk ka përgjegjësi për fenomenet natyrale. Po të mos jenë digat, uji do të përmbysë trefish. Më parë nuk ka pasur ndërtime. Njerëzit duhet të sigurohen, menaxhimi i digave kontribuon në më pak derdhje. Përmbytje ka në të gjithë botën.

Si ndiheni në drejtimin e ministrisë?
Nuk është merak të marr apo të lë, si cdo ministër e ndien veten të përkohshëm. Jam gati ta përballoj këtë sfidë deri kur kryeministri të mendojë se e përballoj.

Për fushatën po përgatiteni?
Po, sigurisht

U tremb aleanca PD-LSI?
E kemi mundur më parë.

Nuk ka kthim pas mes jush dhe LSI?
Nuk shoh arsye.

Keni filluar të përcaktoni kandidatët?
Janë procese të brendshme

Psh, Veliaj?
Jemi shpejt. Veliaj ka bërë një punë shumë të mirë, por kandidaturat kanë një proces.

Do ishit dakord të rikandidonte?
Nuk shikoj asnjë problem nëse do të rikandidonte

Po në bashkitë e tjera?
Mund të ketë raste për rifreskim. Është një proces që do të marrë kohë dhe do të dilet me kandidaturën më të mirë.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Cim tironci: 12/04/2018 02:55

    Gjiknuri MASHTRUESI Me ordiner I PS transporti publik falas nuk do te thote qe cdo njeriu do ti ngrihet trau i kalimit e para dhe genjeshtra e dyte eshte per kanidimin e Erion VELISE si kryebashkjak I Tiranes ED RAMA DO TA ELEMINOJE ERION VELINE PER ARSYE SE POPULLI E DON ERIONIN EDHE SI KRYEMINISTER

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?