Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Seul të Koresë së Jugut. Toka ku kalonte një rrugë e re e asfaltuar është çarë dhe ka përpirë të gjallë një motoçiklist.
Për pasojë i riu rreth moshës 30 vjeç raportohet se ka humbur jetën. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Gangdong të kryeqytetit të Koresë së Jugut ditën e djeshme (24 mars).
Para tij nga pamjet dallohet se ndodhej një veturë, që gjithashtu u prek nga ky dëmtim, por pa pasoja serioze, pasi arriti të kalonte në sekondën e fundit.
Ekipet e shpëtimit gjetën trupin e burrit të martën në mëngjes, në orën 11:00 me orën lokale, rreth 50 metra larg vendit ku ai kishte rënë. Sipas BBC, gropa me përmasa 20 metra e gjerë dhe 20 metra e thellë, ka shkaktuar shqetësim të madh, ndërsa në internet po qarkullojnë pamjet e kamerave që regjistrojnë momentin e groposjes.
Në video shihet se si motoçikleta bie në gropën e sapohapur, ndërsa makina përpara arrin ta shmangë në momentin e fundit. Kreu i Departamentit të Zjarrfikësve të Gangdong, Kim Chang-seop, tha se brenda vendit të shembjes kishte rreth 2000 tonë tokë dhe ujë. Në të njëjtin incident ka mbetur i plagosur edhe një drejtues veture, por jashtë rrezikut për jetën.
Deri më tani nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar fundosjen, informon media. Megjithatë, një raport i fundit drejtuar Qeverisë Metropolitane të Seulit zbuloi se në dhjetë vitet e fundit, 223 rrëshqitje kanë ndodhur në qytet, kryesisht për shkak të mirëmbajtjes së dobët të infrastrukturës, gypave të konsumuar ose të vjetër, uljes afatgjatë të nëntokës, ose aksidenteve të gërmimeve.










Komente
Komento