TIRANE - Një tjetër ish-minister i Transporteve i LSI, Sokol Dervishaj, eshte paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda sot në mesditë, për t'u pyetur lidhur me ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan. Dervishaj u pyet për rreth 2 orë e 20 minuta me detaje nga prokurorja Elisabeta Imeraj, lidhur me kontratat e reja të lidhura për ndërtimin e rrugës Elbasan-Tiranë. Pas daljes nga Prokuroria e Krimeve, Sokol Dervishaj nuk ka pranuar të flasë për mediat. 

Sokol Dervishaj ka qënë ministri i fundit i bashkëqeverisjes “Rama-Meta”, pas dorëheqjes së Edmond Haxhinastos. Dervishaj la detyrën e tij, fill pasi në pushtet erdhën të vetëm socialistët, të cilët vendosën shkarkimin e Dervishaj dhe në vend të tij emëruan ministrin aktual të Transporteve dhe Energjitikës Damian Gjiknuri.

ish ministri sokol dervishaj
Ish-Ministri i Transporteve Sokol Dervishaj sot në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda

 

Kallëzimi në 2016 për Dash Xhikën
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paditur në prokurori Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika dhe i ka kërkuar qeverisë shkarkimin e tij për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi, sidomos në fushën e prokurimeve dhe zbatimin e kontratave të infrastrukturës rrugore. Xhika akuzohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm rreth 634 milionë lekë ose 4.5 milionë euro. Sipas KLSH-së dëmi ka ardhur kryesisht nga mungesa e supervizimit gjatë zbatimit të projekteve në infrastrukturën rrugore. KLSH ka kërkuar që të hetohen dhe 5 punonjës të tjerë të ARRSH-së. Shkeljet kanë të bëjnë edhe me projektin e zgjerimit të superstradës Tiranë- Durrës, por dhe për ndërtimin e rrugës By Pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë (lotet 4 deri 11).

Nga auditimi rezultoi që fondi limit i prokurimit “Studim, projektim zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës” është rritur artificialisht në vlerën 100,001,686 lekë, përfituar padrejtësisht nga operatori ekonomik fitues i prokurimit. Gjithashtu, KLSH vëren se, përgjatë periudhës së përgatitjes së dokumenteve të tenderit dhe zhvillimit të procedurës së prokurimit “Studim, projektim zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës”, janë bërë disa investime nga institucione të tjera me fonde të buxhetit të shtetit, investime të cilat me zbatimin e projektit të zgjerimit të superstradës “Tiranë-Durrës”, do të mbivendosen, ribëhen apo prishen plotësisht. KLSH i ka përcjellë Prokurorisë, kallëzim penal për Xhikën dhe pesë nëpunës të tjerë të këtij institucioni Th.Xh, N.M, A.A, D.Sh dhe D.G për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

 

d.b/shqiptarja.com