Jetën e tij artistike, në rrugëtimin gjysmë shekullor, piktori i njohur Pashk Përvathi e ka përmbledhur në një libër të titulluar “Rrugëtimi im”, botuar nga “Toena”. I janë dashur 12 vite për të shkruar jetëshkrimin, duke mos u shkëputur për asnjë çast nga piktura, që është dhe pasioni i tij i jetës. Libri i ngjan një romani autobiografik, që sjell njëherësh dhe mjedisin artistik dhe kulturor të Lezhës së viteve ’70-90.
“Kam pasur çfarë të rrëfej sepse jeta ime ka qenë paksa e çuditshme dhe me vështirësi por jam përpjekur të jem i vertetë. Të vertetat artistike i kam shpalosur në libër dhe nuk kam folur vetëm për vetem por dhe për koleëg e ngjarje”, tha piktori Përvathi.
Pas Tiranës, libri u promvua në Lezhë, vendlindjen e piktorit Përvathi, ku morën pjesë artdashës të shumtë, shkrimtarë, publicistë dhe autoritete lokale. Takimin e hapi botuesja Irena Toçi, e cila foli për vlerat e librit të Përvathit. Rreth librit folën gjithashtu: Rudolf Marku, Ndue Dedaj, Preç Zogaj, Fatmir Toçi, si dhe sollën mbresa: Frano Kulli, Martin Leka e Tom Therçaj. Përshëndeti dhe kryebashkiaku Pjerin Ndreu.
“Këtë libër autobiografik e kemi pritur nga Pashku por se shkruan kaq bukur pakkush e ka besuar. E ka talent të fshehur të shkruarin bukur!”, tha publicisti Preç Zogaj publicist.
Ndërsa në referencen e tij, publicisti Ndue Dedaj thekson: “Rasti e ka sjellë ta ndjekë këtë libër që në fletët e para. Autorit iu deshën mbi 10 vite për ta shkruar dhe gjatë komunikimit me Pashkun kam vënë re përkushtimin për ti thënë gjëra me saktësi, pa zbukurime. Në kohën kur libri po bëhej gati për botim ishte kthyer dhe vetë në një redaktor”.
Ky libër i Pashk Përvathit rrëfen udhëtimet e tij mes Lezhës e Tiranës si dhe në qytete e fshatra anembanë vendit, nga bregdeti në alpe, ku ka shkelur me kavalet në krah për të realizuar pikturat me peisazhe. Po ashtu ai ka pikturuar dhe në shumë shtete të botës. Pervathi është gjithnjë në përbërje të kolonive të piktorëve.