Brigitte Macron rrëfehet në një intervistë të rrallë për gazetën franceze “La Tribune”, ku bën një bilanc të viteve të saj në Elysee. Ajo hyri aty më 15 maj 2017, duke shoqëruar bashkëshortin e saj, Emmanuel Macron, dhe do ta lërë në pranverën e vitit të ardhshëm, pas zgjedhjeve të reja presidenciale, në të cilat Macron nuk mund të marrë pjesë pasi Kushtetuta ndalon një mandat të tretë radhazi.
Brigitte Macron, 73 vjeç, ish-profesoreshë e frëngjishtes, tregon se mban një ditar që e ndihmon të përballojë momentet e vështira dhe që nuk ia ka treguar askujt.
“Ndonjëherë e kam të vështirë të shoh qiellin blu. Më parë kisha një jetë normale, fëmijë, punë, ulje-ngritje si të gjithë. Këtu në Elysee këto vite kanë kaluar shumë shpejt… kanë qenë shumë intensive. Kam parë anën e errët të botës, budallallëkun, ligësinë. Ndonjëherë jam e trishtuar si kurrë më parë”, shprehet ajo.
Në janar, disa nga personat që e kanë sulmuar online Brigitte Macron, të akuzuar për shpërndarje ose ripublikim fyerjesh dhe zërash lidhur me identitetin e saj seksual dhe diferencën në moshë me presidentin, janë dënuar me deri në tetë muaj burg me kusht.
Gjatë procesit, vajza e saj, Tiphaine Auzière, 41 vjeç, ndërhyri në gjykatë për të denoncuar “vënien sistematike në dyshim të identitetit, seksit dhe integritetit” të nënës së saj.
Ajo foli edhe për “përkeqësimin e kushteve shëndetësore” të Brigitte Macron, e cila ka vuajtur nga një fushatë dezinformimi e përhapur në nivel global. “Kjo vorbull, që nuk ndalet kurrë, ka një ndikim në rritje mbi kushtet e jetesës dhe gjendjen e saj shëndetësore”, shtoi ajo.
Çifti presidencial ka vendosur të luftojë në rrugë ligjore fyerjet dhe teoritë e konspiracionit që i prekin, si në Francë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara. Në muajt e ardhshëm pritet një proces edhe në Delaware, veçanërisht kundër influencueses amerikane Candace Owens. Emmanuel dhe Brigitte Macron janë shprehur të gatshëm të dëshmojnë në gjykatë dhe të paraqesin provat e nevojshme për të dënuar ata që përhapin lajme të rreme për ta../CorrieredellaSera
Komente










