Ruçi: S'më ka ardhur
ende letër nga Patozi

TIRANE- Letra e kryetarit të grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi për homologun e tij socialist Gramoz Ruçi nuk ka mbërritur në destinacion. Faktin e kanë bërë të ditur bashkëpuntorët e kreut të grupit të PS, sipas të cilëve Ruçi u kishte bërë të ditur se deri pasdite vonë kishte qënë në zyrë, ndërsa letra nuk kishte mbërritur, ndërsa letra është shpërndarë në redaksitë e mediave.

Letra përmban kërkesën e demokratëve për një takim me socialistët, që prej ditës së sotme, në kuadër të negociatave për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit dhe u bë publike menjëherë pas takimit Berisha- Meta në kryesinë e Kuvendit.

LETRA E PLOTË E PATOZIT
“Sic të gjithë e dimë, dje nisi procedura e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Partia Demokratike, si forca kryesore e mazhorancës qeverisëse, e konsideron këtë si një moment solemn, jo vetëm për politikën, por për mbarë publikun shqiptar. Në filozofinë tonë, zgjedhja e Presidentit duhet të shërbejë për ngritjen në një nivel të ri të komunikimit mes forcave politike, por edhe për ngritjen në një stad të ri të emancipimit të shoqërisë sonë demokratike.
Në këtë kontekst, ne jemi të prirur për një proces, sa transparent, aq edhe të qytetëruar, sa gjithpërfshirës, aq edhe serioz e kushtetues, i cili të nderojë secilin prej nesh dhe atë që ne përfaqësojmë.
Duke e konsideruar zgjedhjen e Presidentit të Republikës si një cështje që u takon ta zgjidhin në radhë të parë faktorët parlamentare, Partia Demokratike më ka mandatuar mua së bashku me zotin Edmond Spaho si negociatorë për t`u konsultuar me përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për të eksploruar të gjitha mundësitë e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit me një konsensus sa më të gjerë. Për këtë qëllim, ne jemi të hapur, që duke filluar nga nesër paradite, të takohemi me negociatorët Tuaj në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, në ditën dhe kohën që Ju e gjykoni të përshtatshme. Në pritje të një përgjigje nga ana Juaj, gjej rastin t`Ju shpreh konsideratën time më të lartë”, përfundon letrën kreu i grupit kuvendor demokrat.
(jm/sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Bulqizë/ Qytetari denocon: Qëlluan me armë zjarri në qytet! Policia gjen motorin e djegur

Bulqizë/ Qytetari denocon: Qëlluan me armë zjarri në qytet! Policia gjen motorin e djegur