Ruajtje të trashëgimisë botërore, apo qasje më të mirë për personat me vështirësi në lëvizje?

Ruajtje të trashëgimisë botërore, apo qasje më të mirë për personat me vështirësi në lëvizje?

Greqi

Për t’u ngjitur drejt majës së Akropolit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ecja mbi mermerin e lashtë të rrëshkitshëm është zëvendësuar tashmë nga një shteg i ri prej betoni. Debati është ndezur për këtë ndryshim. Me miliona vizitorë të huaj që vijnë çdo vit, restauruesit grekë po përballen tashmë me nevojat e turistëve të shekullit të 21-të. Materiali në vazhdim u përgatit në Athinë nga Malcolm Brabant, i kanalit PBS.

Dikur Akropolis kishte shtigje të lashta prej mermeri, të rrëshkitshme kur janë të lagura. Tashmë shtegu është shtruar me çimento të rafinuar të shekullit të 21-të. Për pjesën më të madhe të vizitorëve të huaj, Akropoli është një pjesë thelbësore e udhëtimeve të tyre. Në Greqi adhurohet si thesari më i madh kombëtar dhe një simbol i fuqishëm i demokracisë. Ky lloj shtegu i ri e ka ndarë edhe opinionin publik si kurrë ndonjëherë më parë. Disa njerëz e shohin si një zgjidhje e logjikshme për të ndihmuar personat që kanë vështirësi në lëvizje, por të tjerë e shohin si një përdhosje, një nënshtrim ndaj nevojave të turizmit masiv dhe një skandal ndërkombëtar.

“Për mua është e tmerrshme. Mendoj se Akropolis është lënduar vërtet nga korridoret prej betoni”, thotë Despina Koutsoumba.

Ajo është presidente e Shoqatës së Arkeologëve Grekë dhe specialiste për restaurimin. Zonja Koutsoumba është ndër 3500 historianët që kërkojnë ndaljen e këtyre modifikimeve.

“Kemi një objekt arkeologjik të rëndësisë së madhe dhe marrim çimento dhe e transformojmë në diçka krejtësisht të re. Kjo është totalisht e papranueshme”, thotë ajo.

Por, ky është një moment i veçantë për sportisten olimpike Kelly Loufaki. Është hera e parë që ajo po viziton Parthenonin, që kur dëmtoi shtyllën kurrizore në një aksident me makinë.

“Jam krenare pasi jam greke dhe më duket shumë e mundshme qasja, miqësore, që të arrij këtu me karrigen time me rrota”, thotë ajo.

Edhe sportisti paraolimpik Che Jon Fernandes është i impresionuar.

“Mundesh gjithnjë ta shohësh Akropolin nga larg kudo që të gjendesh në Athinë. Por kur vjen këtu, e ndjen energjinë nga afër. Ndjen frymëzimin. Është sikur ta prekësh me dorë”, thotë ai.

Edhe për zotin Fernandes është hera e parë që viziton Akropolin, që kur lëndoi shtyllën kurrizore kur luante për ekipin grek në sportin rugby.

“Nuk më vijnë fjalët, për shkak se kam emocion që pas gjithë këtyre viteve që nuk mundja të vija këtu, ndjej se po bëjmë përparim si vend. Po bëjmë përparim si shoqëri; po bëhemi më gjithëpërfshirës. Është fantastike”, thotë ai.

Monumenti 2500-vjeçar është ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë botërore. Ish-diplomati amerikan Brady Kiesling është i mahnitur nga Greqia e lashtë. Ai është edhe arkeolog dhe ndihmon për kartografimin e objekteve të lashta më pak të njohura.

“Është kombinim i panoramës, historisë, mitit dhe pranisë njerëzore që e bën Greqinë një ndër vendet më interesante në botë”, thotë ai.

Për një arkeolog, perceptimi për shtegun prej betoni është i debatueshëm.

“Shtigjet prej betoni që bëri rishtazi qeveria, nuk janë të bukura. Por nuk janë as ndonjë monstruozitet. Janë shumë praktike. Kur ke 10 mijë persona që ngjiten këtu çdo ditë, shumë prej tyre me vështirësi në lëvizje, është krim të mos u japësh një nivel të arsyeshëm sigurie. Po, kemi humbur një pjesë të kalldrëmit të bukur ngjyrë trëndafili, por ende mund të shihet. Nuk është prekur pamja e përgjithshme e vendit”, thotë zoti Kiesling.

Është kritikuar edhe ashensori i ri që përdoret nga personat me aftësi të kufizuara për t’u ngjitur në pjesën veriore të murit shkëmbor. Ashensori gjendet pranë një tempulli të njohur me emrin Erechtheion, dhe kritikët thonë se prish pamjen që ka qëndruar e pandryshuar për dy mijëvjeçarë e gjysëm. Ndër kritikët është edhe Profesor Tasos Tanoulas, që nëpërmjet një mesazhi me video i bën thirrje UNESCO-s të ndërhyjë.

“Janë disa gjëra që duhen bërë menjëherë dhe kjo duhet ndalur. Ky është shqetësimi im. Mendoj se është një krim shumë i madh, që nuk duhet të ishte bërë kurrë”, thotë ai.

Manolis Korres, arkeologu përgjegjës për shtigjet prej betoni, u pyet nëse shqetësohej për ndonjë reagim të UNESCO-s.

“Jo, jo, aspak. Asgjë për t’u shqetësuar. Mendoj se kolegët atje janë të bindur se gjërat po shkojnë mirë dhe se e kanë pranuar që janë keqinformuar nga lajme të rreme”, thotë ai.

Ministrja e Kulturës, Lina Mendoni, gjithashtu i hedh poshtë shqetësimet.

“UNESCO e ka ditur për këto restaurime që nga viti 2002. Sipas Konventës së UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore, secili vend duhet të njoftojë përpara se të bëjë ndonjë ndryshim madhor tek një monument. Pikë së pari, këto ndryshime ishin të ditura, siç e thashë. Së dyti, këto nuk janë ndryshime madhore. Greqia nuk e ka detyrimin për të informuar UNESCO-n”, thotë ajo.

Por, me sa duket zyrtarët e UNESCO-s nuk janë të kënaqur me mënyrën se si vepruan autoritetet greke. UNESCO dëshiron ndaljen e të gjitha punimeve derisa të bëhen konsultimet e duhura. UNESCO është gjithashtu e shqetësuar që iu desh të mësonte për modifikimet nga kritikët dhe jo nga shteti grek. Shoqata e arkeologëve grekë thotë se është e kënaqur me qasjen më të mirë për personat me vështirësi në lëvizje, por se dëshiron të pakësohet ndikimi tek Akropoli./VOA

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste!  Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste! Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty