"Tinguj të heshtur", nis nga sot në orën 11.00 në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, një cikël ekspozitash prezatuese të instrumenteve muzikore të përdorura në Shqipëri, pjesë e arkivit etngrafik.

Festivali Teatror "Hapat" vijon sot në orën 19.00 në Teatrin Eksperimental me shfaqjen e Fondit për të Rinj,  "Pse nuk qëndron për mëngjes?" , me regji të Delvis Bejlerit.

Vijon e hapur deri në 12 dhjetor në Galerinë e Artit Tiranë, ekspozita "Tradita" me 46 punë në pikturë e skulpturë të 20 artistëve, përfshirë vepra të artistëve si Sali Shijaku e Guri Madhi.

Kompeticioni Ndërkombëtar "Krajka" i ideuar nga Rei Bezhani nis nga sot deri në 11 dhjetor edicionin e parë për promovimin e instrumentistëve e këngëtarëve nga mosha 6 në 25 vjeç. Juria do të vlerësojë performancat e grupit të parë sot në orën 14.30 në Liceun Artistik.

Qëndron e hapur edhe përgjatë ditës së sotme në galerinë "Fab" ekspozita "Dhe yjet rrinë e vështrojnë" e piktorit Gazmend Leka.

Në kuadër të Ditës Kombëtare të Rinisë, që shënohet në 8 dhjetor , Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, mban sot në orën 11.00 monodramën “Udha e qumështit” me regji të Armand Borës,  shoqëruar me diskutime mbi temën.

Shfaqja "Gratë e Kazanovës" me regji të Andia Xhungas mbahet sot në orën 18.00 në teatrin "Bylis" në Fier.

Do të qëndrojë e hapur deri në 22 janar në Galerinë e Arteve në Shkodër Ekspozita Kombëtare Salloni i Vjeshtës “E kuqja” me kuratorë Oltsen Gripshin dhe Naim Spahiun.